Nderohen 98 viktimat e Masakrës së Rezallës, i përkujtojnë edhe liderët e vendit

Nderohen 98 viktimat e Masakrës së Rezallës, i përkujtojnë edhe liderët e vendit

05 April 2019 13:40

Në 20 vjetorin e masakrës së Rezallës janë bërë homazhe dhe nderime pranë varreve të 98 viktimave, që u vrarë e masakruar nga ushtria serbe.

Homazhe ka bërë kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili ka thënë se masakra e Rezallës është një ndër masakrat më të tmerrshme që ushtria serbe kreu mbi popullatën civile.

“Sot kemi 20 vjetorin e masakrës së Rezallës, një prej shumë masakrave në vendin tonë që okupatori serb i bëri para 20 vitesh. Ne sot e kemi obligim ligjor e moral për të nderuar dhe për të respektuar, për ta kujtuar atë ditë që ne të mos bëjmë gabime sot, të ndërtojmë një të ardhme të mirë dhe të sigurt për brezat e ri. Të krijojmë stabilitet dhe zhvillim në vendin tonë, vetëm atëherë mund të themi që jemi duke bërë diçka në realizim të amanetit të dëshmorëve”, tha ai.

Jashari tha se uron që si popull të jenë unik dhe të ecin përpara.

Homazhe në kompleksin e dëshmorëve në Rezallë ka bërë edhe dega e PDK-së në Skenderaj, ku kryetari Sami Lushtaku, ka ndarë momente nga koha kur ka ndodhur masakra.

“Unë e mbaj mend shumë mirë, një ditë e dhimbshme për qytetarët e këtij vendi, pasi që forcat serbe disa herë kanë tentuar të hyjnë në Rezallë dhe pjesëtarët e UÇK-së e kanë bë të pamundurën derisa edhe familjet, gratë, fëmijët forcat serbe i kanë vu përpara, që një pjesë e ushtarëve të UÇK-së janë detyruar të lëshojnë vijën e frontit si shenjë respekti për familje dhe për civil. Pas kësaj forcat serbe kanë hyrë dhe kanë vra gra, pleq, fëmijë. Kjo masakër është vërtetë një masakër e dhimbshme për Komunën e Skenderajt”, tha ai.

Kujtojmë se më 5 prill të vitit 1999, serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj.

Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë konfliktit në Kosovë.

Viktimat e Masakrës së Rezallës i kanë përkujtuar edhe krerët e vendit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e të tjerë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Masakra e Rezallës është dhimbje e madhe që rëndon mbi ne... . Dhimbja për humbjen e më të dashurve tanë vazhdon të jetë e madhe, por duke kujtuar të kaluarën e dhimbshme, ne gjithmonë jemi munduar të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ka shkruar se “Rezalla është simbol i një populli që kurrë s’e pranoi nënshtrimin dhe kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra për liri”.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është shprehur se "Masakra në Rezallë, nga e cila ende ka shumë të pagjetur, është plagë e hapur e Kosovës ... Rezalla, si vatër e pamposhtur e luftës çlirimtare, e ka shkruar historinë me gjakun e bijave dhe bijve më të mirë, që nuk e kursyen jetën e tyre për t’iu bërë lirisë gurthemel”.

Në nderim të masakrës së Rezallës sot mbahet edhe akademi përkujtimore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme