Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me gjasë do të rriten më shpejtë sesa ajo e Bashkimit Evropian në periudhën 2019-20 por kjo pamje mund të jetë e ndjeshme ndaj kërcënimeve përfshirë trazirat popullore, ka thënë të martën Banka Botërore.
Huadhënësi global ka thënë se rajoni, i përbërë nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të rritet për 3.7 për qind mesatarisht më 2019 dhe 2020, në vijë me pjesën tjetër të Evropës Qendrore dhe Lindore, raporton Reuters.
Tetorin e kaluar, Banka parashikoi rritjen rajonale prej 3.5 për qind më 2019 dhe 3.8 për qind më 2020.
Raporti thotë se stimujt fiskalë dhe kushtet e favorshme të jashtme nxitën rritjen rajonale të gjashtë vendeve më 2018, por rreziqet politike mund të sjellin zvogëlim të rritjes afatmesme.
“Ka pakënaqësi publike në disa vende të cilat mund të çojnë në pasiguri më të lartë politike dhe një rritëm më të ngadalshëm të reformave strukturore”, thotë raporti, transmeton Koha.net.
Qeveritë në Serbia, Shqipëri e Mal të Zi janë përballur me protesta që po kërkojnë zgjedhje të hershme, fund të dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe mediave dhe hapa për të luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar që është në shkallë të gjerë.
Ekonomitë e Kosovës, Maqedonisë Veriore dhe të Bosnjës do të përshpejtojnë këtë vit në 4.4 për qind, respektivisht 2.9 dhe 3.4, të nxitura nga investimet në sektorin e energjisë, nga kërkesa e brendshme dhe besimi i konsumatorit, thotë raporti.
Ekonomia e Malit të Zi është parashikuar të ulet në 2.9 për qind, thotë banka, ndërsa zhvillimi në Serbi projektohet të bie për 0.7 pikë të përqindjes, apo 3.5 për qind.
Raporti thotë po ashtu se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përballen edhe me rreziqe nga zhvillimi më i ngadalshëm sesa është parashikuar në BE, nga mosmarrëveshjet më të gjera gjeopolitike e tregtare, si dhe nga shtrëngimi i mundshëm i kushteve të financimit në tregjet e kapitalit.
Banka ka lavdëruar konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik në Shqipëri e Serbi, por paralajmëroi se është “kritike të ruhen këto fitime” dhe tha se borxhi në vitin 2018 në Kosovë, Mal të Zi e në Maqedoni mbeti në ngritje.