Organizata Admovere, ka njoftuar për Aktvendimin e Gjykatës së Apelit i cili e rrëzon vendimin e Gjykatës Themelore për heqjen e plagjiaturës së Profesorit Mejdi Bektashi.
Admovere, në njoftim, thotë se dje më datë 26 mars 2019, u mbajt seanca për rivendosjen në lidhje me kërkesën e Mejdi Bektashit, për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërkaq seanca e radhës do të mbahet me 24 prill 2019 në orën 13:30.
“Vendimin e Gjykatës së Apelit, ADMOVERE e sheh si dëshmi se gjykatat në Kosovë janë të gatshme të angazhohen për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më 21 shtator 2018, ADMOVERE publikoi raportin «STAFI AKADEMIK I UP-SË - studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë». Një prej qëllimeve të këtij raporti, sipas tyre, ishte edhe radhitja e të gjitha rasteve të plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së.
Lexo edhe: Gjykata e detyron “Admoveren” ta heqë raportin që e cilëson plagjiator Mejdi Bektashin
“Pas publikimit të raportit tonë, më 1 tetor 2018, profesori i Fakulteti i Juridik, z. Mejdi Bektashi, na paditi për shpifje, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 nëntor 2018, aprovoi masën e sigurisë, të kërkuar nga paditësi, me të cilën u detyruam ta tërheqim pjesën e raportit që flet për të, si dhe të mos bëjmë deklarata në lidhje me personalitetin e tij, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata”, thuhet në njoftim.
“Ne si ADMOVERE zbatuam vendimin e gjykatës, pavarësisht se e konsideronim atë kufizim të padrejtë të lirisë së shprehjes, dhe e hoqëm nga qarkullimi pjesën e raportit për z. Bektashi. Sidoqoftë, më 16 nëntor 2018, parashtruam ankesë ndaj Aktvendimit C.nr.2884/18 të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë dhe kërkuam nga Gjykata e Apelit që ta anulojë aktvendimin për shkak se gjatë nxjerrjes së tij gjykata: 1) ka bërë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, 2) ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike dhe 3) ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale”, thuhet tutje, transmeton Koha.net.
Lexo edhe: “Admovere” e quan kufizim të lirisë së shprehjes vendimin e Themelores, ankohet në Apel
Gjykata e Apelit më datë 28 shkurt 2019 mori Aktvendimin Ac.nr.5022/18 për prishjen e Aktvendimit të Gjykatës Themelore për caktimin e masës së sigurisë, të datës 8 nëntor 2018, dhe e ktheu çështjen në rivendosje te Gjykata Themelore.
“Gjykata e Apelit gjeti se ankesa jonë është e bazuar dhe konstatoi se Aktvendimi për caktimin e masës së sigurisë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, se është bërë zbatim i gabuar i të drejtës materiale dhe se nuk është vërtetuar drejt dhe në masë të plotë gjendja faktike”, thuhet tutje në reagimin e Admoveres.