Arbëri

Ndonëse nxënësve u kërkohet që sot të shkojnë në shkolla, mësimdhënësit s’ishin të pranishëm

Descriptive Text

Ndonëse Ministria e Arsimit po kërkon që të respektohet vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura, as sot, mësimdhënësit nuk kanë shkuar në shkolla.

Drejtorët e shkollave, këtë lajm ua kanë përcjellë nxënësve, por mësimdhënësit, nuk kanë shkuar.

Koha.net e ka kontaktuar Drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shalën, e cila ka thënë se kjo është çështje e Sindikatës, për shkak se Drejtoritë e shkollave, e kanë thjesht obligim të marrin këshillat që vijnë nga MASHT-i.

“Këshilli i prindërve ka marrë vendim që të sabotohet mësimi. Kemi marrë edhe e-maile nga Këshilli i prindërve nëpër shkolla, të cilët kanë potencuar, se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në mësim”, tha ajo.

Kujtojmë se javë më parë, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka marrë vendim që 5 ditë të humbura të mësimit, të zëvendësohen nga pushimi pranveror në muajin prill, 5 ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe 5 ditë tjera të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Shala, tutje tha se secili drejtor i secilës shkollë, ka qenë i obliguar t'u kërkojë nxënësve që të shkojnë në shkolla.

Gjithashtu, kujtojmë se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, javën e kaluar u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë mësimdhënësve që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës, por këta të fundit, po u binden Sindikatës së Bashkuar së Arsimit.

Këshillit Drejtues i SBASHK-ut, javë më parë, në mënyrë unanime ka marrë vendim që të mos kompensohet asnjë orë e humbur derisa gjykata nuk nxjerrë një vendim. Kjo pasi SBASHK-u e ka paditur MASHT-in për vendimin e saj duke e konsideruar të jashtëligjshëm.