Prokuroria “aktivizohet” pas deklarimit të OSHP-së për presione Foto: Driton Paçarada / Koha

Prokuroria “aktivizohet” pas deklarimit të OSHP-së për presione

22 March 2019 15:56

Prokuroria e Shtetit është “aktivizuar” pas deklarimit ditë më parë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) se po përballen me presione nga Policia dhe Prokuroria.

“Koha Ditore” ka pranuar një përgjigje nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ku thuhet se do të kërkojnë nga OSHP-ja informacione rreth këtyre pretendimeve.

“Do të kërkojmë informacione për çdo rast ku ata konsiderojnë se kanë pasur presion nga prokurorët e shtetit. Ndërkaq, pas marrjes së përgjigjes do të shikohet se a ka vend për fillim të ndonjë procedure”, thuhet në përgjigjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Me datën 26 të muajit të kaluar, Bordi i OSHP-së ia ka shkruar një letër Kuvendit të Kosovës dhe sistemit të drejtësisë.

Një përmbledhje e kësaj letre është lexuar të mërkurën gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet dhe Financa nga kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku. Të pranishëm kanë qenë edhe drejtues të OSHP-së. Letra është pritur me shqetësim nga deputetët, përjashtuar deputeten e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, e cila ka deklaruar se nuk e ka të qartë se përse është shkruar ajo.

Bazuar në letër, një kopje të së cilës e posedon “Koha Ditore”, thuhet se anëtarët e OSHP-së pothuajse për çdo vendim që marrin në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, ftohen për t’u intervistuar nga ana e Policisë dhe Prokurorisë.

“Pothuajse për çdo veprim që merret nga ana e OSHP-së, Policia me vetiniciativë dhe pas ankesave të palëve, kërkon dosjen e tenderëve dhe vendimet e marra nga OSHP-ja. Një qasje e tillë e institucioneve ishte kritikuar edhe nga Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit për vitin 2018”, thuhet në letër, raporton “Koha Ditore”.

Bordi ka paralajmëruar se në rast se nuk ndalen këto presione, do të detyrohen që të japin dorëheqje.

“Përmes kësaj shkrese duhet të tërheqim vëmendjen se nëse një praktikë e tillë vazhdon dhe nuk ndalet, ne Bordi i OSHP-së nuk do të kemi tjetër rrugëdalje veçse të shqyrtojmë seriozisht largimin nga këto pozita. Institucionet shtetërore nuk mund dhe nuk duhet të luajnë me integritetin personal të zyrtarëve publikë dhe integritetin e institucionit, siç është rasti në OSHP”, përmbyllet letra.

Pasi është kontaktuar nga gazeta një ditë më parë, policia e ka kthyer një përgjigje të shkurtër, ku ka deklaruar se “janë institucion i zbatimit të ligjit, dhe nuk merret me komentimin e deklarimeve të askujt”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme