Tahiri thotë se të tri obligimet e ERA-s kanë përfunduar Foto: MD

Tahiri thotë se të tri obligimet e ERA-s kanë përfunduar

20 March 2019 14:45

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se janë përfunduar të tri obligimet e lidhura me procesin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) me hartimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi Prokurorin e Shtetit, si dhe Koncept dokumentin për suspendimin e zyrtarëve publik në rast të ngritjes së aktakuzës për korrupsion.

Duke folur për përmbushjen e obligimeve nga Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA), Tahiri theksoi se nga 42 masa, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar 28 prej tyre, kurse 14 masa janë në proces.

Në raportin me këto obligime, ministri ka potencuar edhe hartimin e Pakos së Ligjeve për Gjyqësorin, ku përfshihen ligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe ai për Gjykatat.

“Ministria e Drejtësisë ka sponsorizuar Ligjin për Përgjegjësitë Disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë që është miratuar në Kuvend dhe që si i tillë, paraqet një lloj reformimi të sistemit gjyqësor përmes etablimit të mekanizmave të fuqishëm dhe transparent në disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, njëkohësisht duke ngritur cilësinë por edhe llogaridhënien e Këshillave respektiv, atij Gjyqësor dhe Prokurorial, që tani e tutje kanë fjalën e fundit në disiplinimin e stafit të tyre profesional” ka thënë ministri Tahiri.

Megjithatë, ministri Tahiri ka theksuar se përtej ndryshimeve legjislative, me qëllim të fuqizimit të gjyqësorit, është iniciuar agjenda “Drejtësia 2020”, që ka për qëllim koordinimin më të mirë institucional ndërmjet Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial dhe Ministrisë së Drejtësisë.

“Agjenda ‘Drejtësia 2020’, jo vetëm që do të arrijë që të gjitha institucionet përgjegjëse brenda afatit të kryejnë obligimet e tyre ligjore për aq sa i përket kompletimit të akteve nënligjore, por do të sigurojë edhe koordinimin më të mirë ndër institucional, si dhe zbatimin e aktiviteteve që janë të dobishme për sistemin e drejtësisë dhe që do mund të ndikojnë në fuqizimin e këtij sektori në përgjithësi. Lista e masave të ‘Drejtësisë 2020’ arrin numrin 100. Të gjitha këto do zbatohen deri në fund të vitit 2020”, ka thënë Tahiri.

Përveç kësaj, ministri i Drejtësisë ka informuar deputetët edhe me Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, që tenton të mbledhë të gjithë aktorët relevantë që të rishikojnë kornizën ligjore dhe institucionale, të determinojnë çka duhet ruajtur nga sistemi aktual dhe çka duhet ndryshuar në të ardhmen përmes Strategjisë Sektoriale, me qëllim të fuqizimit të sektorit të sundimit të ligjit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme