30 ditë paraburgim i janë caktuar rreshterit të Policisë së Kosovës SH.S, i dyshuar për vrasjen e të riut J.A, në një kazino në Suharekë.
Mungesa e një plumbi në armën zyrtare, incizimet e siguruara, si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, janë prova, të cilat gjykata i ka konsideruar si të mjaftueshme për ta lënë në paraburgim rreshterin SH.S.
Detajet janë sqaruar në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, me të cilin i është caktuar paraburgimi policit.
“Mungon një fishek nga ngarkesa e municionit në 30 të tillë që i ka pasur i pandehuri si zyrtar policor i Kosovës. Po ashtu, nga fakti se gëzhoja e gjetur në vendin e ngjarjes, në pikëpamje karakteristike të përgjithshme, përputhet me municionin që e ka pasur të ngarkuar si zyrtar i policisë”, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës, polici kishte qëndruar deri në orën 5 të mëngjesit në kazino dhe ishte kthyer pas dy orësh aty me qëllim të grabitjes.
“Nga shikimi i video-incizimit përmes CD-së që është nxjerrë nga serveri i kamerave të sigurisë së lokalit “Intaco”, ku dyshohet se është kryer vepra penale dhe nga sekuencat më kryesore të kësaj video, e cila është shikuar edhe gjatë seancës dëgjimore, shihet se janë ndërmarrë veprimet e veprave penale, për të cilat ngarkohet i akuzuari SH.S”, thuhet më tutje në vendimin e gjykatës.
Rreziku i ikjes, ndikimi në dëshmitarë, e madje, edhe te zyrtarët policorë kolegë të tij, janë disa nga arsyet tjera, të cilat gjyqtari Xhevdet Elshani i ka vlerësuar si të mjaftueshme për të caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarin për vrasje të rëndë.
Ani pse, aty thuhet se vrasja u krye me armën zyrtare të tij si polic, SH.S po dyshohet edhe për posedim të paautorizuar të armës.
Gjykata në Prizren, gjithashtu, ka caktuar 1 muaj paraburgim ndaj B.G, i cili vrau vëllanë e tij në Studençan të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve për çështje pronësore dhe plagosi një familjare tjetër.