Arbëri

Bunjaku-Rexhepi: MKRS-ja shpenzon pa planifikim, MASHT-i s’diti të menaxhonte grevën

Foto: Driton Paçarada / Koha

Përmes një konference për media, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka kritikuar Ministrinë e Kulturës dhe atë të Arsimit.

Ka thënë se Ministria e Kulturës është duke shpenzuar paarsyeshëm buxhetin, pa planifikim të duhur buxhetor.

Ka shtuar se shumë pozita të punës janë hapur pa nevojë dhe pa planifikim paraprak.

“15 mijë euro i janë dhënë një agjencioni privat. Emrin nuk dua ta bëj publik për shkak të marketingut. Në njoftimin e ministrisë thuhet se 50 të rinj do të sponsorizohen, por nuk është sqaruar se përse është i nevojshëm ky sponsorizim”, ka vazhduar ajo, raporton “Koha Ditore”.

Sa i përket Ministrisë se Arsimit, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se nuk do të duhej të lejohej të zgjaste greva nga mësimdhënësit.

“Shihet se Ministria nuk ka ditur ta menaxhojë këtë situatë. Shkeljet janë bërë pikërisht prej saj”, ka shtuar deputetja e LDK-së.

Bunjaku-Rexhepi e ka përmendur edhe shkuarjen në Durrës të disa grupeve për përpilimin e teksteve mësimore, për të cilat ka raportuar ditë më parë “Koha Ditore”.

“Pse do të duhej të shkonin në Shqipëri për këtë gjë dhe të shpenzonin mijëra euro nga paraja publike? Këtë kanë mundur ta bëjnë edhe në Kosovë”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.