Arbëri

ZDF: Shqipëria “në kthetrat e mafies”

“Shqipëria në kthetrat e mafies”. Ky është titulli i reportazhit të transmetuar në televizionin gjerman “ZDF”, duke treguar se mafia shqiptare është tepër aktive dhe e shtrirë në të gjithë Europën.

Pavarësisht ndihmës së autoriteteve italiane, të cilët kanë pajisje më të mira, transmetuesi gjerman thotë se lufta kundër trafikut të drogës ka efikasitet të ulët. Shkak është korrupsioni i lartë në polici dhe lidhja e politikës me mafien.

Policia pretendon se e ka nën kontroll situatën, por shifrat tregojnë të kundërtën, pasi Europoli e listoi Shqipërinë në vitin 2017 si prodhuesin më të rëndësishëm të kanabisit në Europë.

“Shqipëria është një ndër vendet me të varfër të Europës me një rroge mesatare 330 euro. Por Tirana, kryeqyteti, është mbushur me makina të shtrenjta dhe luksoze si edhe ndërtime të reja. Por, nga vijnë këto leke?!”, thuhet më tej në reportazh, teksa ky fenomen i ka befasuar gazetarët gjerman.

Duke kuptuar se këto para vijnë si pasojë e trafikut të lëndëve narkotike, por rrogat e policëve janë tepër të ulëta, ata bëhen palë me trafikantët dhe kësisoj aktiviteti i tyre vijon të lulëzoj.

Transmetuesi gjerman përmend edhe aksionin e policisë në Lazarat, si për të treguar se vendi u pastrua nga kanabisi.

Madje, “ZDF” ka sjellë rastin e ish-oficerit të Antidrogës Dritan Zagani, që tani jeton në azil në Zvicër, për shkak se denoncoi lidhjet e shtetit me trafikun, transmeton Gazeta Shqiptare.

“Ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime sepse jo vetëm u hodh balte mbi mua por dhe për familjen pasi nuk kishim asnjë siguri dhe ndiheshim të kërcënuar. U detyrova të largohem sepse më kërcënonte mafia, ajo mafia qe kontrollon 100% Shqipërinë. Tani realiteti është ndryshe sepse nga kanabisi tani është futur edhe kokaina. Ne Shqipëri njerëzit jetojnë nga biznesi me drogën”, deklaroi Zagani.

Pa harruar edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj të cilit rëndonin akuzat për trafik ndërkombëtar droge.

“Shqipëria e lufton kultivimin e drogës por për aq kohë sa politika dhe mafia janë të lidhura ngushtësisht, kjo betejë duket e pakuptimtë dhe zor se do jetë e suksesshme,” përfundon reportazhi i televizionit gjerman.

Image