Tërmkolli: Elozhet e pakuptimta të Albinit për Gjingjiqin

Tërmkolli: Elozhet e pakuptimta të Albinit për Gjingjiqin

14 mars 2019 11:48

Politikania shumëvjeçare dhe ish-deputetja në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli, duke komentuar një shënim përkujtues të Albin Kurtit në përvjetorin e vrasjes së Zoran Gjingjiqit, kryeministrit të Serbisë, i vrarë në mars 2003, ka shprehur habinë që ai e konsideron atë ndryshe nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe aspiratat serbe ndaj saj, përcjell Koha.net.

Tërmkolli në komentin e saj shkruan:

Albini paska bërë një shënim përkujtues në përvjetorin e vrasjes së Zoran Gjingjiqit, kryeministrit të Serbisë, i vrarë në mars 2003 duke tërhequr një paralele me vrasjen e para një shekulli të mbretit Aleksandar I, me motivacionin se vrasja e të parit e paska bërë Serbinë më të keqe e cila u bë shkas për Luftën e I Botërore, ndërsa e dyta, vrasja e Gjingjiqit, e paska bërë Serbinë edhe më të keqe duke sjellë në pushtet Vuҁiqin si pasardhës të Millosheviqit. Në të dy rastet, se a do të ishte Serbia “më e mirë” e më demokratike mund të spekulohet dhe të supozohet ҁfarëdo qoftë. Vetëm Albini shprehë bindje dhe siguri për një Serbi ndryshe po të mos vriteshin ata. Albini ia qan hallin Serbisë duke qenë krejtësisht korrekt dhe në pajtim me ideologjinë që promovon vlerat e internacionales socialiste. Nga pikëpamja e interesit nacional të Kosovës dhe shqiptarëve, një politikan mesatar i Kosovës do të duhej ta dinte se qëndrimet dhe pikëpamjet e Gjingjiqit dhe Vuҁiqit në raport me Kosovën, nuk kanë asnjë dallim. Përkundrazi. Vuҁiqi, përveç tjerash, po zbaton pikë për pikë programin nacional serb për Kosovën, të ideuar nga ish-kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq (2001-2003) me titull “Strategjia për Kosovë e Metohi”, i cili ishte përfunduar në dhjetor 2002.

Në bazament të këtij programi qëndron ideja për federalizimin e Kosovës dhe ndarjen e saj në baza etnike. Në anën tjetër, strategjia dhe instrumentet, të cilat po i përdorë sot Vuҁiqi kundër Kosovës, janë identike me ato që kishte planifikuar Gjingjiq.

Për cilin Gjingjiq po bën elozhe Albini, atëherë?!

Mbase mund të jetë i ekzaltuar pas doktoratës që Gjingjiq kishte bërë për teorinë e Marksit, por kjo nuk e amniston nga “ mosdija ” për promovimin e bartësve të programeve anti Kosovë dhe antishqiptare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme