Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar disa prodhues vendorë, me të cilët ka biseduar për punët, sfidat dhe aktivitetet e tyre ekonomike.
Gjatë takimit, në të cilin ishin të pranishëm edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, si dhe përfaqësuesi i ZRRE-së, kryeministri ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar me të gjithë dhe me përkushtim në përmirësimin e legjislacionit i cili do të krijojë mundësi më të mëdha për sektorin privat.
Ndër temat kryesore të takimit ishte furnizimi i rregullt i operatorëve prodhues me energji dhe çmimi i saj.
“Çmimi dhe furnizimi i rregullt me energji, janë çështje e rregullatorit për Energji, por në bazë të kompetencave do të shoh mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të kënaqshme për prodhuesit vendorë”, tha Haradinaj, duke vlerësuar se sektori privat është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve kërkuan mbështetjen e Qeverisë në ofrimin e kushteve më të mira për zhvillimin e afarizmit të tyre, përfshi politikat më të guximshme në sektorin e tregut energjetik.