Ekspertë të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), javën e ardhshme pritet të vijnë në Kosovë për t’ia bërë vlerësimin Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).
Vizita e tyre do të zgjasë nga data 18 deri më 20 mars. Do të vlerësojnë nëse Agjencia ka arritur progres vitin e fundit dhe nëse gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur ndërhyrje politike në këtë institucion, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përveç takimit me zyrtarë të AKA-së, ekspertët e ENQA-s do të takohen edhe me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe me rektorët e universiteteve publike për të marrë informacione për gjendjen në arsimin e lartë. Vendimi përfundimtar për statusin e AKA-së në ENQA do të merret në shtator të këtij viti.
Më 22 prill 2018, ENQA ia pati zbritur AKA-së statusin nga “anëtare me të drejta të plota”, në “anëtare nën vëzhgim”. Kjo kishte ndodhur në shtator të vitit 2017, kur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shkarkoi Bordin e AKA-së dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të kësaj agjencie. Shkarkimi ishte bërë më arsyetimin se procesi i akreditimit ishte përcjellë me parregullsi.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.