Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se zbardhja e së vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore në lidhje me rastin e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova, do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vend.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka treguar për hapat e ndërmarrë nga ai si kryeministër që nga momenti kur ka marrë vesh për rastin, duke thënë se ata hapa janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës.
“Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme. Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, ka theksuar kreu i ekzekutivit kosovar.
Tutje, ai ka thënë se duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës “kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova”.
“Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar Drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin”, ka thënë Haradinaj.
Më tej, kryeministri ka thënë se me angazhim të plotë për të qartësuar përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese dhe ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë kombëtare, “kam kërkuar raporte hetimore nga Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror”.
Ai po ashtu ka thënë se në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, “i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq”.
“U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit”, ka deklaruar Haradinaj.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Ambasadat e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe në Kosovë, kanë reaguar në lidhje me këtë rast, duke kërkuar zbardhjen e plotë të tij.