Lumezi: Rajonit i duhet bashkëpunimi për luftimin e krimeve transnacionale

Lumezi: Rajonit i duhet bashkëpunimi për luftimin e krimeve transnacionale

11 March 2019 15:40

Budva, 11 mars – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me një delegacion të Prokurorisë së Shtetit po marrin pjesë në konferencën për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit, e cila është organizuar nga Prokuroria e Shtetit të Malit të Zi dhe mbështetur nga ambasada e SHBA-së në Mal të Zi.

Gjatë fjalës së tij, kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar se Kosova është e vendosur që të bashkëpunojë me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimeve të tjera transnacionale.

Në fjalën hyrëse e ka falënderuar mikpritësit për organizimin e kësaj konference, me ç’rast ka thënë se tema e këtij takimi është shumë e rëndësishme ngaqë i tejkalon kufijtë e një sistemi juridik dhe kufijtë e një shteti, si dhe ofron një mundësi të mirë të takimit me kolegët nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, me të cilët do të diskutohen dhe shkëmbehen përvojat për shumë tema që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal dhe luftën kundër krimeve transnacionale.

Kryeprokurori Lumezi ka vënë theksin se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, dhe për të arritur rezultate, sipas tij, duhet të behën përpjekje për ta forcuar bashkëpunimin rajonal, por edhe me vendet e tjera, të cilat mund të mos jenë fqinj në kufijtë gjeografik, me qëllim që të shkëmbehen informata dhe prova të mjaftueshme për t’i vënë para drejtësisë kryerësit e veprave penale.

“Këtu vlen të theksohet se ekipi i prokurorëve të Prokurorisë Speciale, në bashkëpunim me AKI, Policinë e Kosovës si dhe me ndihmën e shteteve tjera ka arritur të zbardhë dhe parandaloj një sulm terrorist që ishte planifikuar të kryhet gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit”, ka rikujtuar kryeprokurori Lumezi

Duke e vlerësuar rëndësinë e kësaj konferencë, Lumezi është shprehur se fakti që sot në këtë konferencë ka përfaqësues të vendeve të rajonit , më të cilët do të shkëmbehen përvojat dhe do të diskutohen eksperiencat në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, na jep të drejtë për të besuar se bashkëpunimi ynë në të ardhmen do të japë rezultate konkrete në luftën kundër krimit transnacional dhe dukurive tjera negative.

“Besoj së gjëja më e rëndësishme gjatë aktiviteteve të kësaj konference duhet të jetë forcimi i komunikimit ndërshtetëror, i cili, duhet të krijoj besim reciprok, respekt ndërkolegial dhe duhet të tregojmë vullnet të mirë për t’iu shmangur në mënyrë absolute tentativave për të qenë të izoluar secili brenda institucioneve të shtetit të vet. Kjo është arsyeja që jemi mbledhur sot këtu, jemi mbledhur jo vetëm për të shkëmbyer përvojat e ndjekjes dhe hetimit por edhe për të forcuar bashkëpunimin i cili është shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e rasteve të krimeve transnacionale, që ju siguroj që i kemi të shumta dhe të vështira”, ka pohuar Kryeprokurori Lumezi

Para pjesëmarrësve në këtë konferencë, kryeprokurori i Shtetit të Kosovës ka folur edhe për të arriturat e Prokurorit të Shtetit si dhe për reformat e ndërmarra përgjatë viteve të fundit në fushën e sundimit të Ligjit në Kosovë si dhe avancimin e legjislacionit penal, të cilat kanë mundësuar një pozicion më proaktiv të Prokurorisë në ndjekjen dhe hetimin e rasteve penale dhe në mbrojtjen e viktimave të krimit.

Ai i njoftoi të pranishmit me veprimet e ndërmarra nga ana e Prokurorit të Shtetit në ngritjen e efikastitet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve ekonomike, shenjëstrimin e krimeve të rënda për procesin e liberalizimit të vizave, sekuestrimin dhe marrjen e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale si dhe për procesin e transferimit të kompetencave nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë tek institucionet vendore. Kryeprokurori i Shtetit ka thënë se gjatë viteve të fundit, vëmendje i është kushtuar edhe zbatimit të procedurave alternative për zgjidhjen e rasteve, duke zbatuar një strategji të veçantë me ç’rast është arritur që të zvogëlohet edhe numri i lëndëve.

Konferenca për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit është organizuar nga Prokuroria e Shtetit të Malit të Zi dhe përkrahur nga Ambasada e ShBA-së në Mal të Zi, në të cilën po marrin pjesë prokurorë nga Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina si dhe ekspert ndërkombëtarë të fushës së drejtësisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme