Arbëri

Shesheli kërkon vendosjen e ushtarëve rusë e kinezë në Kosovë

Lideri i radikalëve serbë Vojisllav Sheshel është zemëruar shumë me miratimin e Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë.

Siç njoftojnë medie të Beogradit, ai ka kërkuar që lidhur me këtë hap të Prishtinës të njoftohen urgjentisht Rusia dhe Kina  si dhe të kërkohet që ushtria e këtyre dy vendeve të vendoset në Kosovë në të gjitha mjediset ku ka serbë.

Ai thënë se për çdo veprim të Kosovës pëlqimi paraprakisht merret nga fuqitë perëndimore e sidomos nga SHBA-ja, transmeton Koha.net.

“Ajo që ka bërë Kuvendi i kaçakëve në Prishtinë tregon se prapa të gjithë hapave të separatistëve shqiptarë qëndrojnë fuqitë e Perëndimit, para së gjithash Amerika, madje edhe prapa vendimit për vënien e taksës ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnje Hercegovinës. Kanë bërë lojën dhe kanë deklaruar se e kërkojnë heqjen e taksës. Nuk është aspak e rastësishme që zyrtarë amerikanë kanë ndryshuar retorikën dhe më nuk thonë të hiqet taksa, por të suspendohet ajo. Edhe një gjë tjetër kemi vërejtur nga deklarata e zyrtarëve amerikanë. Se ata presin që procesin negociues të përfundojë me njohjen reciproke Serbi – Kosovë”, ka thënë Shesheli, transmetojnë medie serbe .

Sipas tij, amerikanët e trajtojnë Serbinë sikur të mos jetë shtet i njohur ndërkombëtarisht, sikur të mos jetë anëtar i OKB-së.

“Ky është kulmi i politikës antiserbe, e cila, në fakt, kërkon kapitullimin e shteti serb dhe unë kërkoj nga presidenti Aleksandar Vuçiq që urgjentisht ta kontaktojë presidentin e Rusisë Vladimir Putin dhe atë të Kinës Xi Xianpin dhe të kërkojë që kontingjente të mëdha të ushtrisë ruse e kineze sa më shpejt të përfshihen në KFOR, që ato të vendosen nëpër Kosovë,sidomos nëpër mjediset ku jetojnë serbë të mbetur”, ka thënë ai.

Në vazhdim Shesheli ka propozuar mbajtjen e seancës së Kuvendit të Serbisë në të cilën do të hiqej dorë nga neutraliteti dhe do të kërkohej aleancë ushtarake nën udhëheqje të Rusisë.

“Po ashtu kërkoj që Rusia në Republikën Serbe dhe në Serbi të formojnë bazat ushtarake që do të na mbronin nga sulmet e NATO-s”, ka thënë ai.

Shesheli ka përfunduar se “shqiptarët për ne nuk paraqesin kurrfarë rreziku po të mos kishte përzierje nga NATO -ja dhe se ata nuk do ta bënin asnjë hap serioz ushtarak e lufte kundër serbëve sikur të mos e kishin pajtimin e NATO-s” .