Krerët e shtetit ngushëllojnë për vdekjen e Klaus Kinkelit Foto: Getty Images / A.Rentz

Krerët e shtetit ngushëllojnë për vdekjen e Klaus Kinkelit

05 March 2019 15:22

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj e ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kanë pritur me pikëllim lajmin për vdekjen e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, ka vdekur dje në moshën 82-vjeçare.

Thaçi ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për përkrahjen e Kinkelit.

“Me dhimbje e mora lajmin për vdekjen e ish-zëvendëskancelarit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Klaus Kinkel, i cili gjatë viteve të 90-ta kishte formësuar politikën e jashtme gjermane në adresimin e çështjes së Kosovës. Liria e Kosovës ishte ndër prioritet më të mëdha që kishte Kinkel. Qytetarët e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për përkrahjen e tij. Në emër të qytetarëve të Kosovës, popullit gjerman i shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Më 1998, Kinkeli kërcënonte Millosheviqin me përdorim të forcës nëse s’tërhiqej nga Kosova

Derisa Haradinaj ka thënë se Kosova ka humbur një mik të madh.

“Gjermania e humbi sot një nga diplomatët më të shquar nga radhët e saj, Klaus Kinkel, derisa Kosova një mik të madh. Kinkel i dha zë të drejtës së Kosovës për liri dhe pavarësi dhe shqiptarëve përkrahje të parezervë për rrugën europiane. Ngushëllime për familjen dhe shtetin gjerman për këtë humbje”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse Pacolli e ka kujtuar Kinkelin si njeri liberal dhe paqedashës.

“Me pikëllim mësuam lajmin se sot, në moshën 82 vjeçare ka ndërruar jetë, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Klaus Kinkel. Kinkel ishte liberal dhe paqedashës i madh, që me vendosmëri ju kundërvu luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Me një kontribut të bujshëm në inteligjencë, drejtësi, politikë të jashtme, dhe në sfera tjera. Kinkel do të kujtohet si personalitet i shquar në Gjermani dhe Evropë. Kinkel ishte njëri nga mbështetësit e kauzës së drejtë Kosovës. U shprehim ngushëllime institucioneve dhe popullit gjerman”, ka thënë Pacolli.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka ngushëlluar për vdekjen e ish-ministrit të jashtëm gjerman. Ai ka thënë se Kinkel do të mbahet mend nga qytetarët e Kosovës për mbështetjen që i dha qytetarëve për liri.

“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e mikut të Kosovës, Klaus Klinkel. Klinkel dha një kontribut të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, prandaj vdekja e tij na pikëlloi shumë. Ai përveç se do të mbahet mend për politikën në Gjermani, do të kujtohet edhe nga qytetarët e Kosovës për mbështetjen që i dha qytetarëve tanë për lirinë. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës ju shpreh ngushëllime të gjithë qytetarëve gjerman”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme