Arbëri

Përshkallëzon përplasja Thaçi-Haradinaj

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Përplasjet në distancë mes presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë njohur të premten intensitetin më të fortë. Ata kanë akuzuar njëri-tjetrin për përpjekje në dëm të shtetit.

Thaçi ka folur i pari nga Tirana. Në samitin e dytë të diasporës, që është organizuar në kryeqytetin e Shqipërisë, presidenti i Kosovës ka dhënë qëndrimin e tij edhe për dialogun me Serbinë. Aty ka atakuar idenë e kryeministrit Haradinaj për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Sot natyrisht se ka ide të ndryshme. Por, ajo që dua të them është kjo: nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë, dhe ju ftoj për vëmendje, organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Nuk do të lejoj të qarkullojë edhe më tutje si ide”, ka thënë Thaçi, i përcjellë me duartrokitjet e pjesëmarrësve. “Propozuesin për konferencë ndërkombëtare e kemi këshilluar që të heqë dorë. Kërkohet edhe nga ju zgjim që t’i ndërpritni këto ide që nuk janë në interes të kombit”.

Në fund të janarit, kreu i Qeverisë ka listuar pesë kushte për ndërkombëtarët në këmbim të heqjes së taksës për importet serbe, vendimmarrje kjo që Beogradi zyrtar e kërkon për t’u rikthyer në dialog.

Dy të parat lidhen me organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën, nga e cila do të dilej me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ideja e kreut të Qeverisë ishte kundërshtuar jo vetëm nga Thaçi, por edhe nga partnerë të koalicionit dhe nga shoqëria civile e opozita.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)