Arbëri

Nga sot nis deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë

Sot fillon zyrtarisht procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, të cilët në përputhje me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në njoftimin dërguar të gjithë zyrtarëve publikë, drejtori i Agjencisë z. Shaip Havolli u ka bërë atyre thirrje që në përputhje me afatet ligjore, të plotësojnë dhe dorëzojnë formularët e deklarimit të pasurisë dhe ka shprehur zotimin se Agjencia Kundër Korrupsionit është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë zyrtarët në fjalë në mënyrë që procesi njëmujor i deklarimit të pasurisë të përfundojë me sukses.

Sipas depozitave ligjore, deklarimi i rregullt i pasurisë fillon nga data 1 mars dhe mbyllet më 31 mars. Deklarimit të pasurisë i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti. Mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal (neni 437 Pikat 1 dhe 2).