Menjëherë pas rehatimit si ministri i tretë i Brendshëm në këtë mandat qeveritar, Ekrem Mustafës i kanë dalë probleme.
I deleguari i deputetit Labinot Tahiri në qeveri, është përfshirë në një incident në ambientet e ministrisë.
Burime të shumëfishta i kanë thënë KTV-së se Mustafa është përplasur fizikisht me njërin nga këshilltarët e tij politikë, duke e nxjerrë atë nga zyra.
Vetë ministri Mustafa e ka pranuar për KTV-në të ketë ndodhur një incident, por e ka mohuar përplasjen fizike.
Ka thënë se ka pasur ngritje toni dhe se “kur është puna te puna, di të jetë i ashpër”.
Mustafa thotë se njerëzit e deleguar politikisht vazhdojnë të sjellin telashe në punën e tij.
Ka mohuar informacionin që deputeti Labinot Tahiri tash po kërkon shkarkimin e tij.
Deputeti Tahiri, i cili bëri çmos për t’u emëruar Ekrem Mustafa në krye të Ministrisë së Brendshme, thotë se ka pasur mospajtime me të, por për momentin nuk e ka kërkuar largimin.
Ekrem Mustafa u emërua ministër i Brendshëm, pas shkarkimit të Bejtush Gashit nga kjo pozitë, me kërkesë të partisë që i përket, AKR-së.
Ministria e Brendshme ka reaguar pas raportit në Lajmet e Mbrëmjes.
Në një komunikatë lajmi vlerësohet tendicioz dhe deklarata e nxjerrë nga konteksti.
“Intervista e cila është realizuar dhe deklarimi i ministrit z.Mustafa, është tentuar të nxirret nga konteksti duke synuar kështu që ministri dhe stafi i MPB-së të portretizohen në një kontekst negativ. Ministri vijon të ketë bashkëpunim të fuqishëm me ekipin dhe gjithë stafin e ministrisë dhe agjencive të MPB-së, për çka u është falenderues dhe mirënjohës për punën e mirë të cilën e bëjnë në baza ditore.”, thuhet në reagim.