5 perditesime
13:20

Hoti thotë se koalicion qeverisës nuk ka fuqi politike, kurse Veseli flet për bojkotim

​Seanca ka vazhduar me mungesë të kuorumit për disa projektligje.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se ka bojkotim.

“65 deputet janë në sallë, por për hir të informimit të opinionin publik ne për fat të keq në këtë mandat jemi duke u ballafaquar edhe me një legjitimitet që është i deputetëve dhe grupeve parlamentare për të mos votuar, por a mundemi të bëjmë një konsultim se në qoftë se nuk ka votime mos t'i maltertojmë deputetët dhe opinionin publik”, tha ai.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se deputetët flasin më së miri nëpërmjet votës tyre.

“Prej shtatorit e këndej janë këto pika që sjellën nga një seancë në tjetrën, është më se e qartë që ky koalicion qeverisës nuk ka fuqi politike me i qu proceset përpara për të votuar ligjet më të thjeshta. Ne nuk hezitojmë që të konsultohemi por nuk kemi nevojë të konsultohemi sepse ne po flasim përmes votës në këtë kuvend”, tha ai.

Veseli shtoi se ka bojkot, por kjo është çështje legjitime.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu akuzoi LDK-në që po dëmtojnë interesin e komunave me mosvotimin e projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

12:34

Kalon Pr/ligji për statusin e punëtorëve të arsimit 1990/99

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës ka votuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës 1990/99.

Bytyqi tha se ky është kurorëzimi i shumë përpjekjeve që janë bërë për këtë Ligj dhe “kjo më bën të lumtur pafund”.

“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për mësimdhënësit tanë, të cilët janë heronjtë e atyre viteve më të vështira për Kosovën. Do të bëjmë edhe shumë më shumë, sepse mësimdhënësit janë, po ashtu, heronjtë e të sotmes dhe të ardhmes tonë”, ka thënë Bytyqi në një postim në Facebook.

Objektivi kryesor i këtij Projektligji është njohja e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta, si dhe përcaktimi i statusit dhe njohja e stazhit të benificuar me përkrahje financiare përmes pensioneve dhe benificioneve të veçanta për kategoritë që ndërtuan sistemin e pavarur të arsimit shqiptar dhe organizuan mësimin në kushte të okupimit klasik prej vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

11:41

Dështon votimi i draft-rregullores së Kuvendit

Ka dështuar votimi i draft-rregullores së Kuvendit, pasi që në seancë kanë qenë vetëm 70 deputetë, derisa për kalimin e saj nevojiten votat e 2/3 të deputetëve.

Kjo është legjislatura e tretë me radhë që po dështon të kalojë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, raporton KTV.

11:16

Mblidhen deputetët, nis seanca

Seanca e Kuvendit të Kosovës, që është vazhdim i disa seancave të mëhershme, ka nisur pasi në sallë janë paraqitur 74 deputetë.

10:33

Shtyhet seanca ende pa nisur

Image

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të fillojë në orën 10, nuk ka filluar në mungesë të deputetëve.

Kryesuesi i saj, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, bëri të ditur së në sallë janë vetëm 24 deputetë, dhe e shtyu nisjen e saj edhe për 15 minuta deri sa të krijohen kushtet për fillimin e seancës, raporton KTV.

08:03

Vazhdon punën Kuvendi, shqyrton 47 pika të mbetura nga seancat e kaluara

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot janë ftuar të marrin pjesë në vazhdimin e seancës plenare.

Kjo seancë do të nisë në ora 10:00, ndërsa janë 47 pika të papërfunduara nga seancat e mëparshme.

Ky është rendi i plotë i ditës i seancës së sotme:

I. Pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme:

  1. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,
  2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,
  3. Shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,
  4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
  5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës,
  6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-090 për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit,
  7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/24 Ligji i Sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport,
  8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive,
  9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale,
  10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave,
  11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99,
  12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
  13. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
  14. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,
  15. Votimi i Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare,
  16. Votimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi,
  17. Votimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017,
  18. Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017,
  19. Emërimi i 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore,
  20. Shkarkimi i një (1) anëtari të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare,
  21. Zgjedhja e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,
  22. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
  23. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
  24. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media,
  25. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas,
  26. Emërimi i anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore,
  27. Emërimi i Kryesuesit dhe të një (1) anëtari të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
  28. Emërimi i Drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
  29. Votimi për Formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala,
  30. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019,
  31. Votimi i kryesuesit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sipas kërkesës së GP të PSD-së,
  32. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për (2) dy anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur me 30 janar 2019:

  1. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore,
  2. Votimi i Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e asociimit në organizata joqeveritare,
  3. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.
  4. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë,
  5. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.
  6. Votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës,
  7. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore,
  8. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,
  9. Votimi në parim i Projektligjit për peticione,
  10. Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma,
  11. Votimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
  12. Votimi në parim i Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar,
  13. Votimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,
  14. Votimi në parim i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve.

III. Pika e papërfunduar nga Seanca jashtëzakonshme, mbajtur më 8 shkurt 2019:

  1. Votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.