Arbëri

Presioni i shtuar amerikan nuk e zmbraps Haradinajn

Kryeministri Haradinaj nuk është zmbrapsur nga vendimi për taksën ndaj importeve serbe, as pas takimit me të dërguarit për siguri të presidentit amerikan, Donald Trump.

Takimi është zhvilluar të mërkurën në Zyrën e presidentit Thaçi, i cili prej muajsh u ka premtuar amerikanëve se Kosova do ta pezullojë taksën për t’i dhënë shans marrëveshjes, shkruan sot Koha Ditore.

Rezistimi i Haradinajt që taksën, ka thënë, ta ketë vënë si mburojë për mbrojtjen e kufijve, ka vonuar rikthimin e dialogut. Kjo pasi Serbia vazhdimin e procesit e ka kushtëzuar me heqjen e kësaj mase.

Është rritur presioni mbi kryeministrin Haradinaj për ta pezulluar taksën ndaj importeve serbe.

Ai është ballafaquar sërish të mërkurën me kërkesën e ShBA-së. Delegacioni, i udhëhequr nga kryeshefi për Çështje Evropiane në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara, John Erath dhe Brad Berkley, është takuar në Presidencë me Thaçin e Haradinajn.

Pas gati dy orësh, Haradinaj ka dalë i pari prej takimit, derisa Thaçi dhe zyrtarët amerikanë kanë vazhduar edhe gjysmë ore. Haradinaj nuk ka pranuar të deklarohet për media. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)