Arbëri

Ministrja Hoxha: Sundimi i ligjit, sfidë për Kosovën si në gjithë rajonin

Descriptive Text

Vjenë, 27 shkurt - Në panelin e diskutimit në Vjenë, të organizuar nga eurodeputeti Lukas Mandl për rajonin e Evropës Juglindore, posaçërisht për vendet që nuk janë anëtare të BE-së, ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, diskutoi për temën “Sundimi i ligjit, investimet dhe punësimi: Sfidat aktuale për Evropën Juglindore”, bën të ditur kjo ministri përmes një njoftimi për media.

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm nga shpallja e Pavarësisë, duke fuqizuar sundimin e ligjit, ceku ministrja Hoxha, proces që prek të gjitha vendet e rajonit.

“Forcimi i sundimit të ligjit është detyra kryesore e Kosovës në veçanti dhe vendet e Evropës Juglindore. Vetëm duke forcuar sundimin e ligjit, ne mund të shpresojmë për një bashkëpunim më efektiv midis vendeve të BE-së dhe vendeve të Evropës Juglindore në kontekstin rajonal”, potencoi ajo, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ofron gjithë mbështetjen e mundshme për institucionet e drejtësisë si dhe reformat në këtë sektor, në përputhje me standardet e BE-së.

Sfidat në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë, mbeten të ngjashme për të gjitha vendet e Evropës Juglindore, kryesisht në çështjet e zbatimit efikas të ligjit, vonesave për procedurat gjyqësore dhe luftës kundër krimit e korrupsionit, vuri në dukje ministrja Hoxha dhe shtoi se BE ka ofruar mbështetje për sundimin e ligjit në Kosovë, por ende është sfidë.

“Është me rëndësi vendimtare që investitorët të jenë të vetëdijshëm se siguria e brendshme dhe sundimi i ligjit janë efikase. Reformat e fundit të ndërmarra nga qeveria e Kosovës janë një hap premtues drejt përmirësimit të sundimit të ligjit”, potencoi Ministrja dhe shtoi se procedurat gjyqësore vonojnë për çështjet civile dhe tregtare, vonesa të cilat kanë ndikim negativ për investimet.

Ministrja e vlerësoi se çdo ndihmë që mund të ketë Kosova në procesin integrues është e mirëpritur, duke ftuar pjesëmarrësit për diskutim rreth përvojave të tyre. Pas diskutimeve konstruktive, për këtë proces, ministrja i falënderoi panelistët dhe debatuesit për bashkëpunim.