Arbëri

Në mbrëmjen gala të refugjatëve, folëse kryesore Vlora Çitaku

Refugees International, organizata që përpiqet të lehtësojë vuajtjet e njerëzve të zhvendosur nga konfliktet apo fatkeqësitë natyrore, tërhoqi përsëri mbrëmë vemendjen e donatorëve dhe të politikanëve për të ndihmuar. Në një mbrëmje gala në qendër të Uashingtonit, folën aktorë, ligjvënës dhe veprimtarë me njohje botërore. Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ishte ndër folëset kryesore.

Bota ndodhet në një krizë historike refugjatësh, me 65 milionë njerëz të zhvendosur, numri më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky ishte vlerësimi i organizatës Refugees International, e cila vepron prej 38 vjetësh për të rritur ndjeshmërinë e atyre që kanë fuqinë dhe mjetet për të ndihmuar.