Arbëri

Media serbe: SHBA-ja po kërkon një Hollbrooke për Kosovën

Descriptive Text

Gazeta serbe e Beogradit “danas” sot shkruan se nuk është për t’u habitur që diplomati amerikan i karrierës Philip Reeker do ta zëvendësojë Wess Mitchellin, i cili kohë më parë ka dhënë dorëheqje në funksionin e ndihmës sekretarit shtetëror të SHBA-së për Evropën dhe Evroazinë.

Burime diplomatike të kësaj gazete, të cilat ajo nuk i identifikon, kanë thënë se SHBA-ja ka vendosur ta shtyjë përpara gjithë procesin e ta zgjidhë kontestin ndërmjet Kosovës e Serbisë, “edhe pse rreth kësaj çështjeje ka qenë një kohë të e gjatë e përfshirë:, porse deri më tash “ishte punuar ngadalë dhe qetë”.

Për këtë arsye, ajo po kërkon dikë si Richard Hollbrookeun e ndjerë që do të angazhohej në Ballkan përfshirë dhe Kosovën, transmeton Koha.net.

“Edhe pse administrata e presidenti amerikan Donald Trump është e preokupuar me probleme të brendshme dhe me situatën në Venezuelë, SHBA-ja me të gjitha forcat do të përpiqet që Beogradi e Prishtina deri në fund të vitit të arrijnë marrëveshje për Kosovën. Sipas pikëpamjes amerikane, marrëveshja do të përfshinte njohjen e ndërsjellë dhe korrigjimin minimal të kufijve. Me këtë rast, është mundshme që disa fshatra të komunës së Preshevës e të Bujanocit, me popullatë shumicë shqiptare, si Tërnoci i Madh, t’i takojë Kosovës, porse përjashtohet mundësia që pala kosovare ta marrë edhe qytetin e Bujanocit. Pala serbe kërkon t’i takojë më shumë territor se sa Kosova, e SHBA-ja nuk është për atë që Serbia ta fitojë gjithë veriun e Kosovës”, citon gazeta t’i kenë thënë burime të saj.

Diplomatët kanë thënë se Reeker, i cili konsiderohet njohës i jashtëzakonshëm i çështjeve ballkanike, mund të luajë rol shumë të rëndësishëm gjatë muajve të ardhshëm, sidomos duke udhëhequr “diplomacinë fluturuese” ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Sipas kësaj gazete, Trump mendon se angazhimi i Amerikës në Kosovë do të ishte “shpenzim i resurseve” dhe “nuk ka shumë durim kur flitet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, gjë që ua ka bërë me dije presidentit serb dhe atij kosovar, Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit me letrat që ua dërgoi.

Në këtë kontekst përmendet mundësia që SHBA-ja të iniciojë organizimin e një konference, sikur ajo e Daytonit në vitin 1995, në të cilën “pas negociatave shumëditëshe ose shumë mujore do të nënshkruhej marrëveshja detyruese gjithëpërfshirëse Serbi – Kosovë”. Si vend ku do të mbahej konferenca përmenden Paris e Vjena .

Në qarqe diplomatike të Perëndimit spekulohet se NATO-ja planifikon që pas nënshkrimit të marrëveshjes, në territorin e Leposaviqit ta ndërtojë një bazë ushtarake më të madhe se Bondsteeli në të cilin rolin kryesor do ta kishte Turqia.

Por zëdhënësi i KFOR-it Vincenco Graso,ka përgënjeshtruar këtë spekulim:

“NATO nuk ka kurrfarë informate për vendosjen e bazës së re ushtarake në Leposaviq. Tashmë ekziston kampi me emrin Notting Hill, të cilin e shfrytëzojnë ushtarët e KFOR-it dhe NATO nuk ka kurrfarë plani ta zgjerojë këtë bazë”, ka thënë Graso.