Arbëri

AAK-ja kundër projektit të Hidrocentralit në Lumëbardhin e Pejës

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Dega e AAK-së në Pejë në takimin e sotëm të kryesisë së saj ka dalë me qëndrimin kundërshtues ndaj projektit të përfolur për ndërtimin e Hidrocentralit në Lumëbardhë.

“AAK dega në Pejë do të punojë me ngulm në vijën institucionale që ky projekt mos të realizohet dhe secili veprim që është ndërmarrë do të kërkohet të anulohet”, thuhet në njoftimin zyrtar të degës së kësaj partie.

“Dega e AAK-së në Pejë ka shqyrtuar projektin e aprovuar si investim strategjik të ndërtimit të Hidrocentralit në rrjedhën e Lumëbardhit të Pejës. AAK-ja kundërshton realizimin e mundshëm të këtij projekti ngase ky projekt dëmton ambientin, florën e faunën në këtë pjesë dhe poashtu rrezikon zhvillimin e turizmit si degë strategjike të zhvillimit ekonomik të Komunës së Pejës”, thotë AAK, transmeton kp.

Sipas AAK-së përmbushja e nevojave për energji që ka Kosova tashmë po bëhet realitet me investimin në Termocentralin Kosova e Re, ndërsa përmbushja e kritereve që duhet të realizojë Kosova për energji të ripërtëritshme tashmë me investime në energjinë solare dhe në atë me erë vetëm që ka marrë formën e vet.

“Ndërtimi i Hidrocentralit në Lumëbardhë në zonën e Rugovës nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë ngase ky projekt nuk është jetik për qytetarët e Komunës së Pejës e në anën tjetër seriozisht dëmton ambientin dhe qëllimet strategjike të Komunës sonë”, thotë kjo parti.

AAK dega në Pejë fton gjithë qytetarët të kenë besim në institucionet e vendit dhe të mos shqetësohen ngase një projekt i tillë që dëmton interesat e banorëve të komunës sonë nuk do të realizohet.