Shumë greva e protesta u mbajtën kundër Ligjit të Pagave. Përmes këtyre formave të presionit, presidentit të vendit shumë herë iu kërkua që të mos ta nënshkruajë këtë ligj.
Por, kanë kaluar dy ditë qëkur presidenti Hashim Thaçi nuk ndërmori asnjë veprim për këtë ligj, madje as duke e nënshkruar apo kthyer prapa atë, raporton KTV.
E, tanimë, Ligjit për Paga i duhen vetëm pak ditë pasi të shpallet në gazetën zyrtare që ai të bëhet i plotfuqishëm, ashtu siç parashihet të nisë zbatimi i tij pas nëntë muajve.
Por, shumë prej sindikalistëve, tashmë janë zmbrapsur nga protestat e grevat.
Disa prej tyre arritën marrëveshje, e disa të tjerë u mjaftuan më premtimet që i morën.
Këtë të premte, janë kontrollorët ajrorë ata të cilët janë tërhequr nga greva pas një marrëveshjeje që kanë arritur me Ministrinë e Infrastrukturës.
Përveç pajtimit që me këtë ligj të rangohen me koeficientin 7, kjo ministri ka siguruar që brenda 6 muajve të trajtohen me ligj të veçantë për ASHNA-në.
Nga greva janë tërhequr edhe punëtorët e KEK-ut, të cilët protestuan kundër ligjit ditë më parë.
E, pse nuk morën përgjigje se përse janë përfshirë në Ligjin për Pagat punëtorët e KEK-ut, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve thotë se do t’i shtjerrin të gjitha mundësitë para se të vijnë te një grevë tjetër.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadiku, ka thënë se fillimisht ata pritet të sqarojnë se me cilin koeficient janë ranguar e më pas t’i shohin mundësitë e tjera të shprehjes së pakënaqësisë së tyre.
E ata që bllokuan arsimin për rreth tri javë, janë më të kënaqurit me Ligjin për Pagat.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, përmes telefonit ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes, ata momentalisht janë të kënaqur me koeficientin e ofruar.