Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, i është përgjigjur ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, i cili tha dje se Serbia gjendet në anën e gabuar të historisë për sa i përket situatës në Venezuelë.
“Amerikanët janë bash në anën e duhur duke mbështetur Kosovën. Ne kemi qenë në anën e tyre në dy luftërat botërore, ndërsa ata zgjedhin ata kundër të cilëve kanë luftuar gjatë dy luftërave”, tha Daçiqi për të përditshmen serbe “Novosti”.
Scott tha dje se Serbia është në anën e gabuar të historisë kur është në pyetje qëndrimi i saj ndaj krizës në Venezuelë.
“Popullin e Venezuelës e ka përfshirë uria nën sundimin e paligjshëm të regjimit diktatorial dhe më shumë se 50 vende në Amerikën Latine, Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore kanë qëndruar pranë popullit të Venezuelës dhe presidentit të përkohshëm Guaido”, tha Scott në Twitter, transmeton Koha.net.
Daçiqi më herët pati thënë se Serbia mbështet çdo zgjedhje të popullit të Venezuelës dhe se Serbia nuk është ajo që duhet të caktojë se kush është president.
Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, duke iu përgjigjur deklaratës së ambasadorit Scott, ka thënë se Serbia gjithmonë ka qenë në anën e duhur të historisë.
“Populli serb asnjëherë nuk ka gabuar në përzgjedhje. Atje ku janë serbët, është e drejta dhe drejtësia”, ka thënë Vulini.
“Herën tjetër Ambasador Scott, kur dëshironi t’i mbani leksione Serbisë, mbani mend se Serbia i zgjedh vet miqtë, se Serbia nuk është koloni dhe pas bombardimit të Serbisë keni humbur çdo të drejtë morale që të flisni për të drejtën dhe drejtësinë. Në vendin ku jeni mysafir, më mirë të jeni modest sesa arrogant”, tha Vulini.