Një delegacion i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës është pritur sot nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilit e ka shprehur falënderimet për vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve. Delegacioni, të cilit i printe Shaban Kajtazi, kryetar, po ashtu falënderoi edhe kryeparlamentarin për angazhimin dhe që kishte mbajtur premtimin kundruall pensionistëve.
Kreu i Kuvendit tha se institucionet e Kosovës e kanë për obligim të kujdesen për të moshuarit, pasi, sipas tij, falë punës dhe sakrificave të tyre Kosova sot po konsolidohet dhe forcohet si shtet i pavarur dhe sovran.
Siç thuhet në njoftimin për media, kryeparlamentari Veseli tha se përveç rritjes së pensioneve, do të gjejnë mënyrat më të mira që në të ardhmen e afërt të krijohen lehtësira në institucionet shëndetësore për pensionistët, përfshirë trajtimin e tyre dhe furnizimin me barna.