Libër përmes së cilit kërkohet lirimi i Sadri Ramabajës, Kurti procesin ndaj tij e quan të montuar

Libër përmes së cilit kërkohet lirimi i Sadri Ramabajës, Kurti procesin ndaj tij e quan të montuar

19 February 2019 16:09

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” sot ishin mbledhur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, aktivistë e deputetë tjerë të kësaj partie, por edhe persona të tjerë, të cilët përmes librit “Liri për DR. Ramabajën”, kërkonin lirimin e bashkëpartiakut të tyre, Sadri Ramabajës i cili akuzohet se është i përfshirë në organizatën terroriste “Syri i Popullit”, përkatësisht për vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës. Libri u shkrua nga babai i deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Shefki Konjufca, i cili punon në Kuvendin e Kosovës, ndërsa botimi i saj u mundësua falas nga shoqëria Lëvizja.

Të pranishmit thanë se ai po akuzohet padrejtësisht dhe pas këtij procesi fshihen krerët shtetërorë.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se ky libër është dëshmia e vërtetë se procesi gjyqësor ndaj Ramabajës është i rrejshëm, dhe sipas tij, ka qëllim ta persekutojë dhe ta mbajë fajtor aktivistin e tyre.

Sipas tij, edhe dëshmia dhe qëndrimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe e kryeparlamentarit, Kadri Veseli në rastin e Ramabajës ka qenë armiqësore.

Jo të rastësishme, kreu i Vetëvendosjes, e ka konsideruar edhe caktimin e prokurorit të rastit, Sylë Hoxha.

“Janë duke e keqpërdorur gjendjen shëndetësore të vëllait të komandantit të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të kombit tonë Ismet Jasharit të Kumanovës, për të fajësuar njerëz të tjerë të cilët regjimi në fuqi në Kosovë i konsideron kundërshtar të vet. Qartazi sjellja, dëshmia, qëndrimi edhe i presidentit si edhe i kryeparlamentarit në këtë proces gjyqësor kanë qenë armiqësore ndaj profesor Sadriut. Sadri Ramabaja nuk i ka borxh asgjë shtetit të Kosovës, por shteti i Kosovës që duke qenë i kapur i ka hyrë në hak Sadri Ramabajës dhe të tjerëve me një proces gjyqësor ku mbase edhe prokurorin, Sylë Hoxha, nuk e kanë përzgjedhur rastësisht që ta udhëheqë këtë proces, qartazi, fajësimi dhe ndëshkimi i paraprinë hetimit e gjykimit”, u shpreh Kurti, raporton Kosovapress.

Lirimin e Sadri Ramabajës dhe veçmas lirimin e sistemit gjyqësor e ka kërkuar edhe kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë, Hydajet Hyseni.

Sipas tij, burgosja e veprimtarit Sadri Ramabaja është puro politike dhe kurdisje, derisa theksoi se burgosjet politike duhet t’i takojnë të kaluarës dhe nuk duhet të jenë të pranishme tani.

Hyseni, po ashtu, u shpreh se nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në drejtësi, por i kundërshtojnë ndërhyrjet në drejtësi.

“Ka aq shumë fakte se në rastin Ramabaja nuk bëhet fjalë për drejtësi por për një padrejtësi tipike shkelje të drejtësisë dhe kurdisje të padrejtësisë. Thuhet me të drejtë se drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar, një vit është mbajtur në paraburgim Sadri Ramabaja, vazhdon edhe të mbahet ende pothuajse pa u hetuar dhe pa u marr fare në pyetje, në fakt ky ishte një dënim pa hetim dhe pa gjykim për një akt fatkeq që nuk ka të bëjë fare me të”, tha ai.

Ndërsa, publicisti dhe shkrimtari, Avni Dehari që është edhe babi i aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, tha se akuza për Sadri Ramabajën është e montuar me qëllim të pengohen përpjekjet për ndryshime demokratike.

“Qëllimi parësor i elitës politike është pa i zgjedhur mjetet dhe metodat t’ia zgjas vetës jetën në pushtet, për këtë qëllim pushtetarët e korruptuar dhe të kriminalizuar të shtetit të Kosovës e përdorin aparatin shtetëror që t’i edukojnë në thonjëza këtë po e them dhe t’i nënshtrojnë me masa ndryshuese të gjithë ata që i nxjerrin pengesa në rrugën e tyre që pa mëdyshje qon drejtë diktaturës. Argumentet mbi të cilat janë ngritur akuza për Sadri Ramabajën flasim bindshëm se kemi të bëjmë me një proces të montuar gjyqësor me qëllim që t’i zihet fryma përpjekjeve për ndryshime demokratike. Për të qenë ato sa më të rënda sipas sajuesve të tyre gjithsesi duhet të lidhen me një organizatë të ashtuquajtur ‘Syri i Popullit’”, u shpreh Dehari.

Foli edhe Fanol Krasniqi, avokat.

Sipas tij, edhe krerët shtetëror gjatë dhënies së dëshmive në rastin e Ramabajës dëshmuan se janë mbi ligjin dhe nuk i bindet gjyqësorit.

“Kinse është jo vetëm anëtar por edhe ideator i organizatës terroriste “Syri i Popullit” në fakt asnjë provë e vetme nuk mund të gjendet në shkresat e lëndës për një pretendim të tillë nga ana e prokurorit, madje jo që nuk ka prova materiale. Politika po merret me këtë proces dhe me Sadri Ramabajën edhe paraburgimi edhe aktakuza janë bërë nën trusnin dhe arbitraritetin e politikës. Këtë e them dhe u dëshmua kur në këtë proces dëshmuan krerët e politikës ku u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarit. Krerët e politikës dëshmuan qartë se ata e kanë nisur edhe ata do e mbyllin këtë proces gjyqësor. Ata dëshmuan se janë mbi ligjin, ata dëshmuan se nuk respektojnë gjykatën dhe nuk i binden urdhrave të gjykatës,ata vërtetuan se kanë prirje obsesive në raport me të vërtetën dhe në raport me Sadri Ramabajën”, ka deklaruar Krasniqi.

Krejt në fund autori i librit, Sherif Konjufca, falënderoi të gjithë që kontribuon në këtë aktivitet.

Sipas tij, Ramabaja duhet të shpallet i pafajshëm.

Kujtojmë që ish-kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, është arrestuar më 7 tetor të vitit 2017 me dyshim për vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme