Daçiqi synon “tërheqjen edhe të 6 njohjeve për Kosovën, pastaj në pension” Foto: Koha

Daçiqi synon “tërheqjen edhe të 6 njohjeve për Kosovën, pastaj në pension”

19 shkurt 2019 13:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me presidentin Donald Trump janë të interesuara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Trumpi ka nevojë për sukses në politikën e jashtme dhe kjo do të ishte zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën, e që nuk mund të arrihet pa një zgjidhje për Serbinë”, citohet të ketë deklaruar Daçiq në TV Happy, transmeton Koha.net.

Sipas tij, Trumpi e ka kuptuar se pa marrëveshje me Serbinë nuk ka zgjidhje për Kosovën dhe “këtë e kanë kuptuar edhe shqiptarët, por ende jo disa vende europiane”, është shprehur Daçiq.

“Ky është momenti i duhur, Amerikës po i ngutet për shkak të zgjedhjeve. Mogherinit po i ngutet. Nga ana tjetër ata që nuk duan zgjidhje, atyre nuk po u ngutet”, ka thënë Daçiq duke aluduar në autoritetet, siç i quan ai, e institucioneve të përkohshme të Prishtinës.

“Nëse kthehet Biden (Joseph, ish zëvendëspresidenti i SHBA) sinqerisht nuk e di si do të jetë për Serbinë, meqë në Prishtinë ekziston bulevardi me emrin e tij. Nuk do të jemi të gëzuar për një administratë të tillë, prandaj bëjmë tifo për Trumpin, në mos për asgjë tjetër sepse e ka mundur (Hillary) Clintonin”, ka thënë Daçiq.

Ai ka paralajmëruar se do të ketë tërheqje të tjera njohjesh, duke përkujtuar se gjatë pesë vjetëve të fundit 13 vende e kanë bërë këtë gjë.

“Qytetarë të Serbisë, numri i vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës së shpejti do të bie nën gjysmën e tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe gjashtë vende të tjera duhet ta bëjnë këtë gjë që të arrihet ky qëllim.

Nga 193 vende anëtare të OKB-së, 91 shtete me siguri nuk e kanë njohur Kosovën, disa e kanë njohur por nuk votojnë për të, ndërsa që Serbia ta ketë me vete shumicën i duhen 97 vota.

“Që të jemi të sigurt 100 për qind, na duhen edhe gjashtë vende. Unë i dua këto gjashtë vende dhe të përfundoj, pastaj të iki në pension”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, transmeton Koha.net.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme