“Në bashkëbisedim me nxënësit, në secilën shkollë dalin 7-8 raste të ngacmimeve seksuale” Foto nga arkivi

“Në bashkëbisedim me nxënësit, në secilën shkollë dalin 7-8 raste të ngacmimeve seksuale”

18 February 2019 21:01

Sipas Anton Nrecajt, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike, nga një bashkëbisedim që është bërë me nxënësit, del që në secilën shkollë ka 7 apo 8 raste të ngacmimeve seksuale.

Në Puls të KTV-së ai ka folur lidhur me një aktivitet të nisur nga Ambasada Amerikane e që kishte qëllim luftimin e ekstremizmit. Sipas tij, nga bashkëbisedimet që janë mbajtur me nxënësit, kryesisht të klasave 8 apo 9, ka dalë që në secilën shkollë ka pasur ngacmime seksuale nga profesorët.

“Para dy viteve me një nismë të ambasadës amerikane u mbajt një aktivitet me qëllim për luftimin e ekstremizmit. Gjatë aktiviteteve ishte edhe policia. Është identifikuar një problem shumë i madh. Aktivitetet u mbajtën në shkolla fillore dhe të mesme. Secila organizatë ka informuar nxënësit me punën apo të drejtat e tyre nëse atyre u shkelet një e drejtë apo nëse janë viktimë e çfarëdo vepre. Gjatë këtyre aktiviteteve kemi marrë raportime nga vetë nxënësit, kryesisht klasës 8, 9 për ngacmime seksuale nga profesorët. Ne kemi ngrit këtë shqetësim në kuadër të atij aktiviteti sepse është shqetësim i madh. Çdo shkollë ka pas minimum 7-8 raste për ngacmime seksuale. Ka qenë aktivitet, bashkëbisedë e drejtpërdrejtë me nxënësit. Çdo shkollë ku është mbajtur aktiviteti ka pas raportime të tilla”, ka thënë ai duke shtuar se sipas informatave të tij asnjë rast nuk është lajmëruar në polici, ndërsa 7 – 8 raste janë paraqitur në shkollat ku numri i nxënësve sillej deri në 300.

Në anën tjetër, Labinot Salihu, këshilltar për arsim në komunën e Prishtinës, ka shpjeguar një rast që ka ndodhur vjet më parë në Prishtinë e ku një mësimdhënës ishte akuzuar për ngacmim seksual, por pasi gjykata e shpalli të pafajshëm komuna ishte e detyruar ta kthente në punë.

“Jo vetëm që ka shqetësim, por i njëjti mësimdhënës është kthyer në shkollë. Ka pas shqetësime nga prindërit, por gjykata e ka shpall të pafajshëm dhe ia ka imponuar komunës që ta kthejë në vendin e punës mësimdhënësin në fjalë”, ka thënë Salihu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme