Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi, shprehet kategorik kundër heqjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Madje, sipas tij, kjo taksë është e vonuar dhe se në drejtim të politikës agresive të Serbisë, Kosova duhet të vendos masa tjera, si dhe ta kushtëzojë dialogun.
Mendim të prerë ka edhe për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, ku ish kryeparlamentari thotë se Kosova nuk ka çka t’i jap Serbisë. Ai këmbëngulë që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqet nga delegacioni shtetëror i votuar në Kuvend, e jo nga presidenti.
Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, këshillon kryeministrin që të qëndrojë pas taksës, pasi, siç shprehet ai, presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet te Beogradi e jo te Prishtina.
Mosunifikimi rreth taksës nga spektri politik, sipas Krasniqit, ka sjell reagime dhe presione nga SHBA-ja dhe Evropa. Madje, sipas tij, më shumë presion për t’u larguar taksa ka pasur nga brenda, sesa nga ndërkombëtarë, prandaj ai thotë se një politikë e tillë nuk i bënë mirë vendit.
Krasniqi ka këshilluar koalicionin qeverisës që vendimet që i marrin të jenë të përbashkëta, dhe mos të ketë përçarje.
Duke folur për idenë e korrigjimi të kufijve të cilën e ka proklamuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehet qartë se Kosova nuk ka çka t’i jap Serbisë, dhe se ndryshimi i kufijve e dëmton Kosovën.