Arbëri

Sallova: Platforma për dialogun paralajmëron zgjedhjet

Donik Sallova, doktor i Shkencave Politike në “Express Intervistën” në KTV, ka folur për platformën e ekipit negociator, për të cilën ka thënë se më shumë i ngjan qëndrimeve që i paraprijnë një fushate zgjedhore sesa një platformë e mirëfilltë dialogu.

Sallova ka thënë se platforma ka parulla politike, të cilat do të qëndronin sikur të bëheshin para dhjetë vjetësh, kur edhe u fillua dialogu me Serbinë.

“Nuk e di përse e quajnë platformë. Më shumë janë qëndrime politike nga një rresht, por nuk është se ka elaborate të thella se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të diskutohet në dialog. Platforma ka disa parulla politike, por që do të ishin të vlefshme nëse do të shpalleshin para dhjetë vjetësh, kur filloi dialogu me Serbinë, por shumë nga këto pika tashmë janë të shkelura”, ka thënë Sallova.

“Janë shkelur kur është arritur marrëveshja në prill të vitit 2013, pastaj ajo e gushtit të vitit 2015. Sot ne sikur po duam ta ristartojmë dialogun dhe a do të jemi në gjendje që t’ia imponojmë Serbisë platformën që shumë pika të saj janë shkelur, siç është marrëveshja e 19 prillit 2013 e cila është e ratifikuar në Kuvend. Platforma më shumë ka qëndrime që i paraprijnë një fushate zgjedhore sesa aspektet reale që mund të përfillen në negociatat e ardhshme”, ka shtuar ai.