Arbëri

Thaçi: Askush nuk mund ta cenojë miqësinë me SHBA-në

Foto: Alban Bujari / KD

Për kreun e shtetit, Hashim Thaçi, asnjë lider i Kosovës nuk mund të cenojë miqësinë me SHBA-në.

“Mik mund të jesh kur respekton këshillat”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur i është kujtuar qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me mos heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe ruajtjen e miqësisë me SHBA-në njëherësh, në një bisedë për televizionin publik.

“Nuk ka lider që mund ta cenojë miqësinë e SHBA-së me popullin e Kosovës. Pushtetet janë të ndara, Qeveria duhet të marrë vendime strategjike që lidhen me të ardhmen euro-atlantike”, ka thënë ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar që taksa ndaj Serbisë të pezullohet.

“Si president i vendit ftoj që të shqyrtohen të gjitha mundësitë për pezullimin e taksës, në mënyrë që të fuqizojmë partneritetin strategjik me SHBA-në. Duhet t’i marrim shumë seriozisht, ata që mendojnë t’i injorojnë këto këshilla, janë gabim. Askush nuk mund të dalë mbi pozicionin strategjik të Kosovës”, ka thënë ai.

“Për hir të një dëmi për Serbinë ne nuk mund të cenojmë raportin me SHBA-në”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duke u ballafaquar e konfrontuar me Perëndimin, Kosova do të mbetet e izoluar. Ai ka thënë se nëse nuk hiqet taksa ndaj Serbisë atëherë ndaj Kosovës mund të merren masa.

“Vazhdimësia e kësaj gjendje nuk do t’i sjellë të mira Kosovës, institucioneve të vendit. Mund të kemi masa që do të mund të ndërmerren ndaj Kosovës nga aleatët. Nga BE-ja nuk do të ketë liberalizim të vizave dhe mund të ketë masa shqetësuese për qytetarët dhe shtetin”, ka thënë Thaçi. “Unë punoj që kjo gjendje që të tejkalohet”.