Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka parë shqetësuese gjuhën linçuese që ka përdorur këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi, ndaj gazetarit të Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, duke i vënë atij epitetin “fabrikues të lajmeve” e duke e krahasuar me gazetarët e “Sputnikut rus”.
“Besnik Krasniqi po shkëlqen në luftën speciale të Sputnik-ut kundër Republikës sonë!?”, kishte shkruar Matoshi në rrjetin social Facebook, duke i bashkëngjitur shkrimit fotografitë e Kohës Ditore dhe të Sputnik-ut.
Andaj, për AGK-në, është e papranueshme kjo gjuhë linçuese e zyrtarëve shtetërorë kundrejt gazetarëve, aq më pak, kur një gjuhë e tillë vjen nga njerëzit që dikur kanë kryer vetë detyrën e gazetarit.
AGK konsideron se gjuha e përdorur nga këshilltari i kryeministrit, i kontribuon gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes dhe, si e tillë, është e dënueshme, meqë e cenon ashpër lirinë e shprehjes dhe të bërit gazetari. Në anën tjetër, AGK kërkon nga gazetarët që të përmbahen nga komentet linçuese dhe të mos bien nën ndikimin e komenteve të tilla. AGK mbështet vetëm punën profesionale të gazetarëve, bazuar në respektimin e standardeve bazë të profesionit dhe inkurajon informimin korrekt dhe të drejtë të publikut, përmes shkrimeve dhe storieve të bazuara në fakte.
Përmes një postimit të tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se, “etiketa publike që ma bëri sot, përbën kërcënim të hapur: Ky është rus! Çkyjeni!”.
“Etiketimin publik të këtij këshilltari e marr si kërcënim serioz për sigurinë time, i vetëdijshëm për profilin e militantëve që i shkojnë pas Kryeministrit! Nëse Kryeministri nuk distancohet, përbën mesazh që ai ka urdhëruar linçim publik”, ka shkruar Krasniqi.
