Pajaziti qëndrimin e Haradinajt për taksën e quan retorikë

Pajaziti qëndrimin e Haradinajt për taksën e quan retorikë

12 February 2019 18:07

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, në “Express Intervistën” e KTV-së, ka thënë se qëndrimi i kryeministrit për taksën ndaj Serbisë ka ngjyrime të retorikës.

Duke përmendur kritikën që Haradinaj ia bëri komandantit të FSK-së, Rrahman Ramës, që u publikua letra me të cilën njofton kryeministrin dhe presidentin se komandanti i gardës së Iowas anulon vizitën për shkak të taksës, Pajaziti ka thënë se retorika është publike për raportet me SHBA-të.

“Dua ta ruaj korrektësinë si partner, por ka ngjyrime të tilla. Sot kemi vërejtje se bëri publike diçka, ndërsa krejt retorika është publike për raportet me SHBA-të, për çështjet e brendshme, askush nuk i mban në nivel të brendshëm. Pra ka retorikë”, ka thënë Pajazit.

“Në periudhat tona ka pasur traditë të komunikimit normal të brendëshëm dhe kanë qenë të gjithë bashkë. Është hera e parë që nuk kemi pajtim pozitë-opozitë [për dialogun]”, ka shtuar ai.

“Masa nuk duhet të përdoret si e tillë. Pajtohem që retorika të mos jetë mollë sherri. Duhet të jemi bashkë në procesin negociator dhe të mos i japim mundësi alternativave tjera. Ka hyrë në retorikë gara për opsionet për negociatat, kur ende nuk dimë se çfarë duhet të bisedohet”, ka theksuar Pajaziti që ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij për pezullim të taksës për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë.

“Për shkak të kërkesave për hapje të dialogut, kemi kërkesë nga BE-ja dhe SHBA-ja që taksa të pezullohet. Tash institucionet duhet të marrin një vendim me qëllim që të mos lëndohen marrëdhëniet tona me partnerët strategjik”, ka thënë ai.

“Unë jam pjesëmarrës dhe dëshmitar i tri llojeve të debateve, edhe për Gjykatën Speciale, edhe për demarkacionin. Haradinaj ishte pjesë e atij debati dhe i dimë qëndrimet e secilit. Edhe për demarkacion kemi pasur të njëjtët politikanë, tash jemi me një situatë të njëjtë”, ka shtuar ai.

“Edhe më herët kemi pasur sugjerime nga aleatët dhe i kemi pranuar. Edhe këtë radhë kemi të njëjtën kërkesë, por edhe ne e kemi një lloj hezitimi, por nëse shohim zhvillimet edhe grupi i njerëzve që janë pjesë e ekipit negociator po punojnë për të nxjerr një platformë dhe ka vendosshmëri të kryeministrit. Askush nuk është për heqjen e taksës, jemi për gjetjen e rrugës për dialog dhe të mos rrezikohet partneriteti me aleatët”, ka thënë veç të tjerash ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme