Spektri politik i Kosovës në udhëkryq për dialogun Foto ilustrim

Spektri politik i Kosovës në udhëkryq për dialogun

10 shkurt 2019 18:03

Përfaqësuesit e Ekipit negociator të Kosovës thonë se po punohet në platformën për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Autoritetet qeverisëse në Kosovë, pa dy partitë më të mëdha opozitare, po hartojnë platformë dhe miratojnë Ligjin për dialogun, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëhet e qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se në javën e ardhshme do të përfundojë puna në platformën për bisedime dhe më pas ajo do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

"Nëse nuk do të mund ta unifikojmë faktorin politik në Kosovë, të paktën duhet të unifikojmë qëndrimet dhe jeni duke punuar fort në draftimin dhe përfundimin e platformës për dialogun dhe shpresoj që ajo platformë të paraqesë ose të reflektojë qëndrimet e përbashkëta të faktorit politik të Kosovës që do të dërgonte një mesazh dhe Kosova përfundimisht ta ketë një pozicion zyrtar në raport me dialogun me Serbinë", tha Limaj.

Limaj tha se partitë politike opozitare do të ftohen për të kontribuuar në këtë proces dhe po ashtu do të informohen me takimet e zhvilluara deri më tash në Bruksel dhe punën e bërë.

"Qëndrimi i Republikës së Kosovës, ose platforma jonë, konsiston në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Dokumentet bazë që kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, deklarata e pavarësisë, pakoja e Ahtisaarit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e kështu me radhë. Me një fjalë, e gjithë platforma është ndërtuar në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës", tha Limaj.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme