Arbëri

Polici i dyshuar për keqpërdorim seksual s’e pranon fajësinë

Në seancën të cilën i është caktuar masa e paraburgimit për 1 muaj zyrtarit policor, V.V., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, në cilësinë e udhëheqësit në njësinë e hetimeve në Stacionin Policor në Drenas, si dhe “ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë”, prokurori i shtetit ka shpjeguar të gjithë rastin se si ka ndodhur.

Në dhomën numër 5 të një moteli në Suharekë, sipas prokurorisë, kishte ndodhur kontakti i parë seksual mes policit V.V. dhe vajzës, e cila atëherë ka qenë nën 18 vjeç. Ky kontakt, sipas prokurorisë, kishte ndodhur pa dëshirën e saj, raporton KTV.

“Pas këtij rasti, ka vazhduar lidhja e tyre dhe, në të shumtën e rasteve, kanë dalë në të njëjtin motel. Sipas të dëmtuarës, tri herë kanë qenë dhe kanë vizituar disa qytete në Shqipëri, si Tirana, Potoku, Kalaja e Rozafës dhe Elbasanit, ku edhe atje, sipas të dëmtuarës, kanë pasur marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj”, thuhet në aktvendim.

Prokurori i këtij rasti, Ruhan Saliu, sipas vendimit, ka deklaruar para gjykatës se të gjitha takimet, e dëmtuara i ka pasur nën kërcënim.

“Kur në fillim të muajit janar, viktima i ka thënë V.V. se po dyshon që ka mbetur shtatzënë, me datën 12 janar, ai bashkë me të dëmtuarën kanë shkruar në ordinancën ‘Cerstina’, te doktori Fehmi Ahmeti dhe, pas kontrollit aty, është konstatuar se është shtatzënë. Prej këtij momenti, i dyshuari ka filluar të bëjë trysni dhe presion mbi viktimën, që ajo sa më parë ta ndërpresë shtatzëninë, duke i thënë se ‘nëse nuk e ndërprenë, do ta vjerrë në konop’. Me datën 15 janar, e ka ndërprerë shtatzëninë 10 javësh”.

Në aktvendimin e siguruar nga Koha Ditore, V.V., në deklaratën e tij, thotë se asnjë akuzë ndaj tij nuk është e vërtetë.

“Dua të shtoj se pretendimet që i ka bërë prokuroria nuk qëndrojnë, për faktin se në vitin 2017 unë nuk jam marrë me rastin, nuk e kam trajtuar rastin, nuk kam dhënë kurrfarë kontributi sa i përket rastit dhe natyra e rastit ka qenë që të trajtohet nga një zyrtar policor femër. Faktin që prokurori e përmend se kam shkuar te shkolla, e kam marrë numrin e telefonit, jam takuar dhe i kam bërë presion, nuk qëndron. Takimi i parë ku jam njoftuar me atë vajzë ka qenë fusha e futbollit në fshat. Ka qenë fundi i majit apo fillimi i qershorit, nuk e di saktësisht. Unë nuk i pranoj këto akuza që i ka bërë prokuroria dhe nuk qëndroj prapa tyre. Ju lutem që të më caktoni një masë më të butë, unë as nuk do të ik, as nuk do të ndikoj dhe do të përgjigjem sa herë që kërkohet nga unë”, ka deklaruar V.V, i dyshuar.

Në këtë rast është i përfshirë edhe profesori i të miturës, me inicialet SH.XH., i cili është arrestuar të enjten, siç është arrestuar edhe mjeku.