Arbëri

ABGJ dënon aktin e keqpërdorimit të së miturës në Komunën e Drenasit

Foto: tes

Agjencia për Barazi Gjinore ka dënuar ashpër rastin e fundit ku, siç thotë, një vajzë e mitur u bë pre e dhunimit seksual dhe abuzimit nga hetuesi i Policisë së Kosovës në Komunën Drenasit, dhe sipas detyrës zyrtare, dhe si përgjegjës obligohet të respektojë dhe ofrojë mbrojtje për të gjitha viktimat që kanë rënë apo mund të bien pre e abuzimeve seksuale apo çfarëdo lloj natyre tjetër të abuzimit.

“Kërkojmë zbardhjen sa më të shpejtë të rastit, dënimin me dënim maksimal të fajtorit, si dhe hetimin dhe vënien përballë drejtësisë të të gjithë atyre që mund të kenë pas informacion për këtë rast dhe nuk kanë kryer obligimet e tyre për të njoftuar institucionet e rendit mbi abuzimin e vazhdueshëm të viktimës. Ne vlerësojmë se jemi duke u ballafaquar me një fenomen me pasoja shkatërruese për jetën, dinjitetin dhe sigurinë e grave dhe vajzave dhe reagimi duhet të jetë mbarë shoqërorë për ta sjellë drejtësinë në vend”, thotë ABGJ në një reagim dërguar mediave.

Aktet si ky i abuzimit dhe keqpërdorimit të personave të mitur, që rrezikon jetën dhe mirëqenien e vajzave, sipas ABGJ-së, janë akte të shpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të besimit në institucion kredibil si Policia e Kosovës, që mund të luhatin besimin tek institucionet në të cilat shoqëria kosovare ka investuar në krijimin e kapaciteteve njerëzore profesionale, besim të cilin vet institucioni e ka krijuar ndër vite.

“Rasti ngre shqetësimin nëse mekanizmat e brendshëm të kontrollit dhe llogaridhënies brenda institucionit të Policisë janë në lartësinë e duhur. Policia e Kosovës duhet në mënyrë të përshpejtuar dhe urgjente të ndërmarrë hapat e nevojshme procedurale për efikasitetin e sistemit të mbrojtjes së viktimave të dhunës në baza gjinore dhe të na sigurojë si shoqëri se sistemi është funksional dhe kemi të bëjmë me një akt të izoluar të shpërdorimit të detyrës zyrtare”, thotë më tej kjo Agjenci.

Agjencia për Barazi Gjinore këtë thirrje ua ka drejtuar edhe të gjitha institucioneve arsimore dhe edukative “të cilat janë dera e parë ku vajzat mund të njoftojnë për abuzim të çfarëdo lloji te natyrës seksuale, fizike apo verbale, por që në fond të saj është dhunë në baza gjinore dhe është e papranueshme për shoqërinë tonë dhe e dënueshme me legjislacionin në fuqi”.

Vëmendja e pamjaftueshme kushtuar parandalimit të shfaqjes, lajmërimit, përjetimit të dhunës në baza gjinore, neglizhenca që ajo të lajmërohet, identifikohet kur bëhemi dëshmitarë të saj, përveç obligimit moral, ABGJ thotë se bartë edhe sanksione ligjore ndaj atyre që nuk e lajmërojnë.

ABGJ i ka bërë apel edhe sektorit shëndetësor që para ofrimit të çfarëdo lloj shërbimi mjekësor, që rrezikon jetën vajzave dhe mirëqenien e tyre fizike dhe emocionale, “kanë për obligim të ndjekin një protokoll të qartë mjekësor mbi luftimin e dhunës në baza gjinore, që obligon mjekët e cilido sektor, njëjtë publik apo privat, të mbrojë dinjitetin e vajzave, të lajmërojë keqpërdorimin e mundshëm, dhe të bartë pasojat ligjore për mos veprim në frymën e këtij protokolli”.

ABGJ vlerëson lartë punën e mediave për ta zbardhur rastin, për ta trajtuar me paanësi dhe i inkurajon që me përkushtim dhe profesionalizëm të informojnë dhe raportojnë për fenomenin e dhunës në baza gjinore.

ABGJ rithekson se mosveprimi në drejtim të zbatimit të kornizës ligjore që dënon dhunën në baza gjinore, përveç rrezikimit të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, është dështim i zbatimit të sundimit të ligjit.

“Të gjithë ata aktorë që e rrezikojnë këtë sundim të ligjit duhet të sillen para drejtësisë dhe të bartin pasojat individuale”, përfundon Agjencia për Barazi Gjinore.