Arbëri

Problemet me Bechtel & Enkan neglizhencë e dy qeverive, thotë Metushi-Krasniqi

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI në “Express Intervistën” ka folur për anekskontratën ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bechtel & Enkas, që kësaj të fundit ia zgjat afatin për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.

Metushi-Krasniqi ka thënë se një gjë e tillë ia pamundëson Qeverisë që të kërkojë penalti për moszbatimin e kontratës.

“Gjatë gjithë kohës kemi dëgjuar deklarata të ndryshme se ajo do të përfundohet në qershor 2018. Me sigurimin e kopjes së anekskontratës e kemi parë se s’ka të bëjë vetëm me marrëveshjen e 53 milionëshit që Qeveria duhet t’i paguajë por edhe për kohëzgjatjen e cila thotë se, përveç 53 milionëshit, MI-ja është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë Bechtel & Enkes për zbatimin e punëve për këtë autostradë”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Ajo ka bërë të ditur se sipas nenit numër 9 punëdhënësi do të bëjë shpronësimin.

“Në kontratën bazë klauzola 10.2 cakton se cila është koha e përfundimit. Koha zgjatet për 152 ditë. Nuk janë dy çështje të ndara fatkeqësisht, edhe pse do të duhej të ishin ashtu”, është shprehur ajo.

Sipas Metushi-Krasniqit nëse kjo çështje do të adresohej më 2015 atëherë Kosova nuk do të ishte ardhur në këtë situatë, derisa thekson se të gjitha qeveritë në mënyrë kronologjike kanë neglizhuar këtë situatë.

“Është vërejt që Kosova nuk ka kapacitet të përmbushë kërkesat buxhetore e për këtë është bërë kohëzgjatja. Sikur kjo anekskontratë të ishte adresuar më 2015 ose 2016 nuk do të kishim ardhur në këtë situatë, për të paguar 53 milionë euro. Të gjitha qeveritë kanë neglizhuar në mënyrë kronologjike këtë problem. Në kohën kur kjo kontratë është nënshkruar, asaj i kanë munguar dy dokumente bazë, të cilat do të caktonin me saktësi kërkesat e qeverisë ndaj kompanisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj nëse pagesat do të kryheshin me kohë atëherë shuma që duhej paguar tani do të ishte shumë më e vogël.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur probleme me pagesat, pasi Qeveria është vonuar për t’i kryer ato. Sikur të ishin kryer me kohë atëherë do të duhej të paguheshin vetëm 14 milionë euro. Ajo ka shtuar se investimet kapitale janë afatgjate, megjithatë mungesa e planit të pagesave ka ndikuar në krijimin e kësaj situate”, ka thënë ajo.