Arbëri

Demi: Keqpërdorimet milionëshe të Rikalos s’janë hiç më të veçanta se sa të Lekajt, Bytyqit, Pacollit e Beqajt

Agron Demi, që aktualisht është analist politik në institutin GAP, e ka komentuar shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo, i cili u shkarkua si kusht i Partisë Socialdemokrate.

Kryeministri Ramush Haradinaj, sot e largoi Rikalon vetëm për shkak se shkarkimin e kishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që t’ia votonte Buxhetin e vitit 2019 dhe jo për shkak të skandaleve. Demi thotë se skandalet e Rikalos, nuk janë hiç më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie, si Pal Lekaj, Shyqiri Bytyqi, Behgjet Pacolli, e Besim Beqaj.

LEXO EDHE: Haradinaj shkarkon Rikalon si kusht të PSD-së, jo për shkak të skandaleve

Koha Ditore ka raportuar se një “masë e veçantë” e Ministrisë së Bujqësisë i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek disa biznese, prej të cilave ka edhe që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me politikën.

Demi, në një postim në Facebook thotë se Rikalo nuk e kishte vendin në ministri, për shkak të keqpërdorimeve milionëshe me buxhetin e shtetit. Por, siç shkruan ai, keqpërdorimet e Rikalos nuk janë hiq më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie.

“Pal Lekaj në Ministrinë e Infrastrukturës i dhuroi 53 milionë euro Bechetl&Enka në emër të vonesave, kurse nuk po penalizohet kjo kompani kur ka kalu mbi një muaj afati kur është dashur të përfundohet autostrada. Po Ministria e Lekajt po e vazhdon monopolin në homologim, po shpërblen me punë kompaninë e zëvendësministrit në autostradën e Gjilanit, po mban mbyllur kontratat e autostradave në kundërshtim me vendimet e gjykatave... Hiq ma i mirë se Rikalo nuk është ministri i MASHT, Bytyqi, i cili e ka politizu në tërësi këtë ministri dhe ka keqpërdorur me buxhet të ministrisë në dhjetëra raste. Hiq ma i mirë nuk është Behgjet Pacolli në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili e ka shndërrua ministrinë në produksion skandalesh diplomatike dhe po e rrënon edhe më tej shërbimin diplomatik. Kjo Qeveri ka me vaxhdu me pas ministër Besim Beqajn e "Prontos", shkatërruesin e PTK e përgjegjësin kryesor për faljen e katër hidrocentraleve. E mos të flasim për shefin e kësaj Qeverie, lista e skandaleve e keqpërdorimeve të të cilit nuk ka fund. Andaj, me reduktu të keqen e kësaj Qeverie vetëm në Rikallon dhe me deklaru fitore shkarkimin e tij është manipulim i paturpshëm dhe amnestim i krejt të keqpërdorimeve tjere të kësaj Qeverie”, ka përfunduar Demi.