Haradinaj shkarkon Rikalon si kusht të PSD-së, jo për shkak të skandaleve

Haradinaj shkarkon Rikalon si kusht të PSD-së, jo për shkak të skandaleve

02 February 2019 08:42

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalon, vetëm për shkak se shkarkimin e kishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që t’ia votonte Buxhetin e vitit 2019 dhe jo për shkak të skandaleve.

Një “masë e veçantë” e Ministrisë së Bujqësisë i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek disa biznese, prej të cilave ka edhe që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me politikën.

Dizajni i masës ishte bërë në atë formë për t’iu përshtatur bizneseve që duhej përfituar.

Një hulumtim që “Koha Ditore” e ka bërë prej më shumë se dy muajsh ka gjetur një mori shkeljesh që Ministria i ka bërë kur i ka ndarë grantet.

Muaji maj i vitit të kaluar, i nxori në publik përplasjet mes Rikalos dhe kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari.

Ky i fundit, pretendonte se Rikalo po i hakmerrej shkaku i një granti që nuk kishte lejuar të përfundonte të një prej bizneseve, në të cilin ishte e përfshirë gruaja e ministrit, e Rikalo pretendonte se i kishte shpëtuar bujqit nga korrupsioni me largimin e Hajdarit.

“Koha Ditore” kishte raportuar për këtë temë në maj të vitit të kaluar, dhe sërish gazeta ka sjellë një hulumtim për një tjetër aferë të Ministrisë së Bujqësisë, këtë herë për 3 milionë euro që jashtëligjshëm u ishin ndarë bizneseve në formë granti.

Dyshime për procesin e ndarjes së këtyre granteve, ku përfitues ka edhe njerëz të lidhur me politikën, kanë edhe zyrtarë brenda kësaj ministrie, që i kanë thënë gazetës se nuk ishin në njohuri për procedurat që janë ndjekur.

Më herët, Rikalos i kishte dalë punë edhe me Agjencinë Kundër Korrupsion, pasi e kishte një biznes të regjistruar, rastësisht në fushën e bujqësisë, të cilin ishte detyruar ta shuajë.

Haradinaj përmes Facebookut ka njoftuar për shkarkimin e tij, duke e cilësuar si ministër të respektuar në qeveri.

“Sot kam marrë vendim dhe kam liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. I shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

“Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur”, ka shkruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme