Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm njoftuan se arritën marrëveshje me SBASHK-un në lidhje me ndërprerjen e grevës.
“Urime mësimdhënës dhe nxënës të dashur! Mësimi fillon të hënën”.
Ky ishte postimi i Veselit që pasoi takimin që zhvilluan bashkë me Haradinajn me zyrtarët e SBASHK-ut.
E në mbledhjen e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut pas takimit me krerët e shtetit, u vendos që greva të mos përfundojë, por të pezullohet deri kur ligji të hyjë në fuqi me koeficientet e reja, raporton Koha.net.
Por, pati edhe akuza për lojëra me grevistët e arsimit.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se “pesëqind mijë nxënës pësuan tre javë mësim për lojëra politike të Kadri Veselit”.
“Ai sot, në rolin e ‘Kryeministrit’, arriti marrëveshjen me Sindikatën për ndërprerjen e grevës. Z. Veseli i gjeti dhe i premtoi paratë, për të cilat Kryeministri Haradinaj deklarohej se nuk i ka. Nga kjo rezulton se z. Veseli, si Kryetar i PDK-së dhe i Kuvendit, i ka organizuar grevat prandaj edhe bëri marrëveshjen për dalje nga greva. Ndryshe, si shpjegohet roli i Kryetarit të Kuvendit (speaker -it) në këtë proces, kur këto janë përgjegjësi të ministrit të Arsimit dhe të Kryeministrit?! Shohim se çfarë marrëveshje tjetër do të bëjë z. Veseli javën e ardhshme”, shkroi Mustafa në Facebook.
Përveç tij, kritika pati edhe shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate në Kuvendin e Kosovës, Bilall Sherifi.
Ai madje pati një akuzë të rëndë duke thënë se “këtë ofertë të cilën sot e pranoi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe e shpalli si fitore të grevës, e ka pasur në tavolinë qysh gjatë javës së parë të grevës”.
“Së pari shpreh kënaqësinë që më në fund greva politike në arsim është ndërprerë, kështu që nga e hëna mësimdhënësit dhe nxënësit të mund të fillojnë sërish procesin e arsimit. Në funksion të informimit të drejtë të publikut, më duhet të sqaroj se këtë ofertë të cilën sot e pranoi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe e shpalli si fitore të grevës, e ka pasur ne tavolinë qysh gjatë javës së parë të grevës. Një ofertë e tillë atij i është bërë nga ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi, ofertë e cila ka qenë e koordinuar me zv. Kryeministrin Fatmir Limaj dhe me deputetët e Nismës, me qellim që, nëse SBASHK-u e pranon, e njëjta së pari t’i prezantohet Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe më pas përmes tij të dërgohet në Qeveri. Mirëpo kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, as që ka pranuar ta marrë në konsideratë këtë ofertë, duke thënë se jo vetëm që është e pa pranueshme një gjë e tillë, por kjo ofertë përbën ofendim për mësimdhënësit”, shkroi Sherifi në Facebook.
Mirëpo, sipas deputetit të Nismës, Jasharaj, “ofertën të cilën e konsideronte të papranueshme dhe ofenduese, e shpalli fitore”, raporton Koha.net.
“Përmes këtij veprimi të sotëm, ai dëshmoi se në grevë ka hyrë në funksion të agjendave partiake, dhe jo me qëllim të arritjes të një pozicioni më të mirë për mësimdhënësit në ligjin për paga aq shumë të debatuar dhe të kontestuar në publik! Pra, meqë marrëveshja është e njëjta që i është ofruar atij që në fillim të grevës, Kryetari i SBASHK-ut e ka për detyrë t’ua sqarojë qytetarëve të Kosovës, se me urdhër të kujt e filloi grevën dhe me urdhër kujt e ndërpreu atë! Kryetari i SBASHK-ut duhet të marrë përgjegjësinë për javët e humbura në mësim dhe të jep llogari para nxënësve, mësimdhënësve qytetarëve dhe para atyre që e kanë zgjedhur. Nëse ai nuk është i gatshëm ta merr përgjegjësinë për veprimet e tij, ata që e kanë zgjedhur duhet ta shkarkojnë për dëmet që ua ka shkaktuar nxënësve në funksion të dobisë personale dhe të agjendave partiake”, deklaroi në fund Sherifi i Nismës.
Pati edhe mësimdhënës që ishin kundër kësaj marrëveshjeje për ndërprerje të grevës. Ata thonë se po e ndërpresin grevën vetëm që fëmijët të mos humbin më shumë mësim, pasi, sipas tyre, ata kanë kërkuar 30% ngritje të pagës.
Besnik Muçolli nga Sindikata e shkollës “Xhemail Mustafa” në kryeqytet, thotë se ata kanë kërkuar që të gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve të kenë pagë të njëjtë, pasi kanë shkollim të barabartë.
Edhe në një grup të mësimdhënësve në rrjetin social Facebook, grup që numëron mbi 28 mijë anëtarë, pati kritika ndaj kësaj marrëveshjeje, e madje pati edhe kërkesa për dalje nga SBASHK-u.
“Uroj dhe shpresoj që ta kem mbështetjen tuaj dhe ta braktisim dhe ta braktisim SBASHK-un, bashkërisht. Të organizojmë një takim dhe të krijojmë një përfaqësim vërtet të dinjitetshëm edhe ne sikurse kirurgët, ose të tërhiqemi. Të gjithë ju që i keni koeficientet e dinjitetshëm, urime”, shkroi në këtë grup njëri nga pjesëtarët.