Arbëri

Mogherini: Taksa të hiqet menjëherë që Dialogu të vazhdojë – s’ka kohë për të humbur

Foto: Ilustrim

Ndërmjetësja e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, njëherësh Përfaqësuese e Lartë e Politikës së Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë edhe njëherë se taksa ndaj mallrave serbe duhet të tërhiqet menjëherë.

Mogherini tregoi se këto komente i ka bërë gjatë telefonatës që ka zhvilluar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Fola me Presidentin Hashim Thaçi. Ritheksova se taksa duhet të hiqet në mënyrë që Dialogu të vazhdojë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Normalizimi i marrëdhënieve është qenësor për Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar Mogherini në Twitter, raporton Koha.net.

Më herët, edhe Thaçi tregoi për bisedën me Mogherinin, ku tha t’i jetë ankuar asaj për kushtëzimet që po i vë Serbia për të vazhduar Dialogun. Ai tha se taksa duhet të hiqet menjëherë.