Arbëri

Shoqëria civile thotë se Kosova ka ngecur në agjendën evropiane

Ani pse Kosova për vitin 2018 është zotuar t’i plotësojë të gjitha masat e dala nga Agjenda për Reforma Evropiane, vetëm dhjetë prej tyre janë plotësuar në tërësi.

Përderisa, 15 janë plotësuar pjesërisht, e katër kanë mbetur të paplotësuara në total të 29 masave.

Këto rezultate u publikuan nga përfaqësues të GLPS-së, Institutit GAP dhe Institutit PIPS, në një tryezë ku u fol për zbatimin e masave të dala nga ERA, raporton KTV.

Njomza Mjeku nga GLPS, tha se masat të cilat kanë pasur t’i plotësojnë në vitin 2017 kanë mbetur ende të paplotësuara.

Nora Jusufi nga GAP, e cila prezantoi fushën e dytë të monitoruar “Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve”, tha se në këtë fushë kanë mbetur të paplotësuara 20 veprime .

Ndërsa, Visar Xhambazi nga PIPS, tha se në fushën e arsimit dhe punësimit, 22 përqind të veprimeve kanë mbetur të paplotësuara.

GLSP, Instituti GAP dhe PIPS, kanë thënë se institucionet nuk i kanë përmbushur zotimet e tyre, për arsye të neglizhencës.