Arbëri

Pushteti nuk ka zgjidhje për pakënaqësitë sociale

Foto: Driton Paçarada

Sektori i arsimit nga e hëna do të hyjë në javën e tretë të grevës.

Kërkesat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që në Projektligjin për paga të ngrihen koeficientet e punëtorëve të arsimit për 30 për qind nuk janë realizuar, e në horizont nuk shihet një marrëveshje kompromisi me Qeverinë.

Për pasojë, jashtë procesit edukativo-arsimor kanë ngelur afro 500 mijë nxënës e studentë, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtues të SBASHK-ut kanë thënë se që nga java e kaluar nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete për kërkesat e tyre. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se ndonëse po bëhen dy javë qëkur kanë hyrë në grevë, ata nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre. Ka paralajmëruar se për shkak të mosofrimit të një zgjidhjeje, greva do të vazhdojë edhe këtë javë.

Të pakënaqur me trajtimin në Projektligjin për paga, të martën pritet të hyjnë në grevë edhe rreth 20 mijë shërbyes civilë të nivelit lokal dhe qendror. Sindikata e Administratës Publike të Kosovës dhe ajo e Shërbimit Civil të Kosovës kanë njoftuar se kërkesë e tyre është që të bëhet nivelimi i pagave pasi konsiderojnë se koeficienti për shërbyesit civilë në Projektligjin për paga është më i ulëti. Po ashtu, kjo sindikatë po kërkon pranimin e stazhit të punës për të përndjekurit nga puna nga regjimi serb.

Edhe në sektorin e shëndetësisë tash e një muaj kirurgët e QKUK-së janë duke mbajtur grevë me kërkesën për rritje të pagave. Për pasojë kanë dështuar intervenimet kirurgjikale në afro 6 mijë raste.

Me kërkesë për rritje të pagave deri para pak ditësh në grevë kanë qenë edhe minatorët e “Trepçës”. Ata e kanë ndërprerë grevën pas premtimit se çështjet e tyre do të trajtohen me Statutin për “Trepçën”, si dhe me një ligj të veçantë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)