Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për media kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku është shprehur optimist se liberalizimi mund të ndodhë në muajin qershor të këtij viti, por siç tha ai, ‘më e udhës është të mos jepen premtime’.
"Qershori është opsional për vizat por jemi marrë vesh mos me folë shumë, por pritet që në atë kohë. Gjendja është krejt tjetër pas qëndrimit të Berlinit zyrtar. Qershori është real", ka thënë ai.
Nuk është hera e parë që kryeministri, ashtu si edhe shumë akterë tjerë politik japin premtimet për vizat.
Ishte viti 2018 ku u premtua vazhdimisht, se të paktën deri në fund të atij viti, Kosova do të liberalizohej. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Miqtë ndërkombëtarë vazhdimisht kërkonin që liderët në Kosovë mos të japin afate për liberalizim vizash dhe të mos premtojnë qytetarët për data kur ata do të lëvizin lirshëm.
Kryeministri, edhe pse thotë se janë marrë vesh për të mos dhënë premtime, ai përsëri thotë se qershor mund të jetë muaji kur liberalizohemi.
Përkundrazi, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, javën e kaluar në një intervistë për Portalin Koha.net, nuk dha afat, ashtu siç kishte dhënë më herët.
“Afatet janë në duar të vendeve anëtare të Komisionit për punë të brendshme të BE-së, të cilat hartojnë rendin e ditës, të harmonizuar paraprakisht si çështje që merr shumicën e cila edhe miraton kur vihet në rendin e ditës. Ndikimi ynë, në rrethanat aktuale, nuk ka rëndësi sa do të duhej të kishte sepse problemet e brendshme prevalojnë në këto situata. Asnjë nga qeveritë, nuk merr rrezik të brendshëm për promovimin e migrimit i cili nuk është rrezik që vije nga qytetarët tanë, por migrimi ilegal që ngrit tensione të brendshme dhe mosdurueshmëri të nxitura nga fushatat e brendshme dhe atmosfera e jo tolerancës ndaj të huajve. Pra, liberalizimi si çështje, është në zonën e debateve të zjarrta me ndikim në zgjedhjet e brendshme në shumë prej vendeve të BE-së. As këtu, çështja jonë nuk vije si shkak por si pasojë e zhvillimeve tjera, jashtë kontekstit tonë, jashtë domenit të ndikimit të Kosovës në ato procese”, tha Hoxha.