Arbëri

S’ka vend për panik pas dy vdekjeve nga gripi në QKUK, pacientët kishin edhe sëmundje tjera

Temperaturat e ulëta kanë ndikuar që rastet e gripit sezonal të shtohen.

Në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thonë se më të prekurit nga gripi janë personat e moshuar dhe fëmijët, raporton KTV.

Sipas mjekëve, gripi mund të jetë i rrezikshëm vetëm në rastet kur personat vuajnë nga sëmundje kronike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë se nuk ka vend për panik, pasi dy personat që vdiqën të martën kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Shumica e pacientëve që të mërkurën janë vizituar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në kryeqytet, kanë thënë se kanë marrë vaksinën kundër gripit.

Ndërkohë, sipas IKSHP-së, nga 1 tetori 2018, janë raportuar mbi 18 mijë raste të dyshimta me grip.

Instituti, gjithashtu, ka rekomanduar qytetarët që në këtë periudhë të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.