Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe një herë ka përsëritur se taksa e vendosur ndaj mallrave serbe, është interes nacional dhe se një vendim i tillë nuk është marrë për inati të askujt.
I pari i ekzekutivit, ka paralajmëruar se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës së mësimdhënësve, do të kompensohen.
Mes tjerash, ligji për pagat tha se do të kalojë deri me datën 31 të këtij muaji.
Duke folur për grevën e SBASHK-ut, kryeministri tha se orët e humbura do të kompensohen.
Këto deklarata kryeministri i bëri gjatë homazheve tek shtatorja dhe Kulla e Haxhi Zekës në Pejë
Ai ka treguar edhe për investimin 1 miliard e 300 milionë dollarë që do të bëhet në energji.
"Taksa e vendosur ndaj mallrave të Serbisë nuk është bërë për inati të askujt. Është interes yni personal, dhe prodhuesit e vendit në këtë rast duhet të prijnë me kualitet, me garanca, me produkte të sigurta. Dhe të ketë arsye të shëndosha, se Kosova me prodhimet e veta, jo vetëm të mbulojë tregun e vet, por edhe të eksportojë më shumë. Ky vit është i ekonomisë, pra e keni pa dje kemi lajmëruar do të ndodhë një investim më i madh që do të ndodhë në Kosovë, 1 miliard e 300 milionë dollarë në energji. Është kompani amerikane, fillon menjëherë në shkurt dhe në mars fillojnë punimet. Rrritjen ekonomike tash e kemi 4,5, por me këtë investim mendojmë ta rrisim për 7 për qind, do të jetë rritja më e madhja në Evropë", citon KosovaPressi Haradinajn.
Po ashtu ai tha se infrastruktura në komunën e Pejës do të avancojë. Duke përmendur kështu autostradën Pejë-Prizren, për të cilën tha se do të jetë më e madhja.
Kryeministri nuk e la pa përmendur edhe grevën në arsim, e cila po vazhdon përkundër ofertës së tij.
"Projektligji për pagat nuk është vetëm për arsimin, është për policët, është për zyrtarët, për zjarrfikësit, për 80 e sa mijë që janë të paguar nga shteti. Pra ky ligj do të ndodhë, besojmë më 31janar. Unë nuk do të insistoj në asnjë veprim tutje, sa i përket atyre, është në vetëdijen e tyre. Një gjë ju garantoj të gjithëve, asnjë orë e humbur nuk do të mbet pa u plotësuar. Më mirë është të kthehen tash, sesa të humbet vera, duke i mbuluar orët që humbin sot. Pra, duhet të kthehen se rritja është e respektueshme, është rritja më e madhe që mund ta bënte dikush ndonjëherë", tha Haradinaj.
Haradinaj mes tjerash e ka quajtur të gabuar vendimin e SBASHK-ut. Tha se atyre nuk duhet t'ju takojë një ide e tillë, siç tha ai.
Ai gjatë ditës së sotme ka bërë vizita në disa nga bizneset ne komunën e Pejës.