3 perditesime
21:27

Muhaxheri e akuzon PDK-në për rrëzimin e Mustafës, Ismaili e fajëson LDK-në

Gazmend Muhaxheri, përfaqësues i LDK-së në Rubikon të KTV-së tha se qeveria Mustafa u rrëzua përmes pazareve politike meqë kryeministri Isa Mustafa nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr dialogun me Serbinë. Rrjedhimisht, sipas tij, meqë kryeministri Haradinaj nuk pranoj të shkoj në Bruksel për të udhëhequr këtë proces.

“Duhesh me pranu që e ki rrëzuar qeverinë me pazar politik”, tha ai.

“Nuk kanë mujtë me rrëzu dy-tre deputetë qeverinë. E kanë kundërshtu sepse në LDK ka ekzistuar mundësia që të votojnë kundër për dallim nga ju. Problemi është te partneri i koalicionit”, ka thënë Muhaxheri.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i tha se qeveria në krye me Mustafën u vetërrëzua dhe nuk e tradhtoi partneri i koalicionit.

“Komplotin nuk e sjellëm ne por e gjetëm mes juve, pra deputetët tuaj nuk e votuan atë. Me thënë që u rrëzu qeveria Mustafa, jo por u vetërrëzu qeveria Mustafa sepse në atë kohë ne kërkonim nga LDK që të procedojmë me demarkacionin sepse na mbeti një gurr në qafë dhe nuk mund të ecnim përpara”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa, Avni Arifi, udhëheqës i dialogut teknik për bisedimet me Serbinë, i përmendi Muhaxherit nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit, e që sipas tij ishte marrëveshja më e dëmshme për vendin që nga autonomia.

“Dokumenti që e ka nënshkruar Mustafa, dokumenti i Asociacionit është dokumenti më i rëndë për Kosovën që nga autonomia”, ka thënë Arifi.

21:14

Debat i ashpër mes Aliut dhe Ismailit

Me fjalinë “je duke manipulu” nga Liburn Aliut kundrejt Uran Ismailit ka nisur një debat i ashpër në emisionin “Rubikon” mes dy rivalëve politikë.

Ismaili gjatë debatit ka thënë se ata që nuk e duan taksën janë me Rusinë, ndërsa ndaj kësaj reagoi Aliu që e quajti manipulues ministrin Uran Ismaili.

20:31

LDK-ja kundër, Vetëvendosje për taksën kundër Serbisë

Opozita ka qëndrime të ndryshme karshi vendimit të kryeministrit Haradinaj përr taksën 100 %. Lidhja Demokratike është kundër kësaj takse meqë sipas përfaqësuesit të partisë, Gazmend Muhaxheri, njëherësh kryetar i Pejës, nuk janë menduar pasojat.

Sipas tij, akterët kryesor të shtetit përmes një vendimi të madh të marrë përmes thirrjeve telefonike.

“Për me marrë shteti veprime duhet që institucionet e këtij shteti duhet të kenë strategji, nuk mundet që akterët kryesorë të këtij shteti me marrë një vendim përmes telefonit, hajde po ja bëjmë kështu Serbisë. Kështu po thonë këta vetë”, ka thënë Muhaxheri.

Për dallim nga LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje e përkrah taksën dhe rezistimin e kryeministrit Haradinaj karshi presioneve për heqjen e kësaj mase. Ndonëse sipas tij qëndrimet e shefit të kabinetit, Avni Arifi, se në rast të një formati tjetër të bisedimeve, taksa mund të pezullohet, tregon se kjo mund edhe të ndodh para se të arrihet ajo çfarë kryeministri Haradinaj po vazhdon ta ritheksoj: “mos heqja e taksës deri në njohjen e Serbisë ndaj Kosovës”.

“Nga konferenca po duket që kryeministri është i gatshëm të mbajë taksën. Ne si Lëvizje Vetëvendosje mendojmë që vendimi është i duhur edhe pse nuk është menduar për pasojat. Është përgjigje shumë e qartë karshi Serbisë, ka bërë që qytetarët dhe Kosovën të ndjehet shtet”, ka thënë Aliu.

“Nëse fillojmë të themi që nëse do të kemi ndonjë ofertë të ndonjë konference kjo i bie që para se të arrihet marrëveshja ne mund ta heqim masën dhe e dyta deklarata e [Uran] Ismailit që nëse na thotë Amerika, i bie që nëse s'je me Amerikën, je me Rusinë”, theksoi ai.

“Nuk do të duhej të hiqej taksa pa ndryshuar qëndrimi i Serbisë e që është çështja e njohjes”, ka thënë deputeti Aliu.

20:22

Arifi përmend formatin e ri të dialogut si shkas për pezullimin e taksës

Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, i cili ishte edhe prezent në takimin e thirrur nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka konfirmuar në Rubikon të KTV-së se qëndrimi i qeverisë së Kosovës nuk ndryshon dhe taksa mbetet.

Arifi tha se kryeministri Haradinaj, njëjtë si kryetari Veseli, mbesin me të njëjtin qëndrim që taksa nuk duhet të heqet deri në njohjen e Kosovës ndonëse ka përmendur edhe opsionin e pezullimit të kësaj mase.

Sipas tij, një gjë e tillë do të ishte e mundshme veç në rast se bisedimet me Serbinë do të fillonin në një format serioz dhe intensiv. Mirëpo, siç tha Arifi, përveç fotografive në Bruksel, nuk po zhvillohen bisedime serioze dhe marrëveshjet po mbeten të pa implementuara.

“Ekziston një modalitet që është përmendur më herët që nëse e bëjmë një format të shpejtë të bisedimeve atëherë mund të pezullojmë taksën, shembull nëse do kishte filluar një format intensiv i bisedimeve. Ky qëndrim është publik dhe është përmendur edhe nga kryeministri dhe kryetar i Kuvendit. Mirëpo nuk jemi të interesuar që vetëm të shkojmë në Bruksel dhe në ndërkohë kanë ngelur shumë marrëveshje pa implementu”, ka thënë Arifi.

Ai bëri të ditur se qëndrimet e Haradinaj,Veseli e Limaj karshi dialogut e taksës janë tërësisht të njëjta.